Pa Messi-n dhe Neymar, Barcelona mposhtet me penallti nga Chelsea

29/07/2015 00:00

Në turneun e verës në Shtetet e Bashkuara, International Champions Cup 2015, Chelsea arriti të fitojë me penallti ndaj Barcelonës, ndërsa koha e rregullt u mbyll 2-2.

Barcelona në këtë takim kishte dy mungesa shumë të rëndësishme, si Messi dhe Neymar, por megjithatë arriti të merrte një barazim ndaj londinezëve të Mourinho-s, të cilët ishin me formacionin e tyre më të mirë.

Të parët kaluan në avantazh anglezët. Belgu Eden Hazard realizoi një super gol në minutën e 10, duke arritur të depërtojë në mbrojtjen e Barcelonës, e më pas lëshoi një goditje të zgjuar duke e dërguar topin në rrjetë. Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë, pavarësisht rasteve të shumta nga Barcelona, ku Suarez ishte një rrezik konstant për mbrojtjen e Chelsea-s.

Në 45 minutat e dyta, me hedhjen në fushën e lojës edhe të Iniesta-s, Barcelona arriti të kthente në favorin e saj rezultatin. Fillimisht barazoi shifrat Suarez e më pas një gol spektakolar u shënua nga Sandro Ramirez.

Por vetëm 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, ishte Cahill që barazoi në 2-2 rezultatin, duke e çuar ndeshjen te 11-metërshat. Londinezët u treguan më të saktë në goditjen e penalltive, ku realizuan 4 herë, ndërsa Barcelona vetëm dy.

Top Channel