Kurdët akuzojnë Turqinë: Qëllimi i sulmeve është shkatërrimi i formacioneve tona

29/07/2015 00:00

Kurdët akuzojnë Turqinë se me planin për të krijuar një zonë të sigurtë brenda Sirisë nuk ka për objektiv luftën kundër ISIS-it, por pengimin e formimit të një territori të kontrolluar nga kurdët në këtë pjesë.

Salahattin Demirtas, udhëheqësi politik i kurdëve të Turqisë deklaroi për BBC se sulmet turke ndaj militantëve të ISIS-it në kufirin me Sirinë po përdoren si mbulim për të bombarduar rebelët e PKK-së, që Ankaraja i quan terroristë.

“Turqia nuk ka ndërmend që të godasë ISIS-n me zonën e sigurisë. Shqetësimi i Turqisë është përpjekja e kurdëve sirianë për të ngritur brenda Sirisë një shtet autonom, ndaj zona e sigurisë është një propozim që synon të ndalojë kurdët nga realizimi i këtij objektivi dhe jo të luftojë ISIS-n”, deklaroi Demirtas.

Ai kërkoi si prej Turqisë ashtu edhe prej PKK-së, uljen e armëve dhe rikthimin në tryezën e bisedimeve për vazhduar procesin e paqes dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut.

“Turqia dhe kurdët duhet të bashkëpunojnë për krijimin e zonës së sigurisë”, u shpreh ai.

Më herët, Presidenti Erdogan deklaroi se ishte e pamundur që të vazhdohej procesi i paqes me ata që “kërcënojnë unitetin kombëtar dhe vëllazërinë e qytetarëve turq”.

Deklarata e Erdogan u bë para nisjes së tij drejt Kinës me një shpurë prej 100 sipërmarrësish me objektiv forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Por situata e fundit në kufirin me sigurinë, thotë korrespondenti i BBC-së në Pekin, mund të rivendosë në tryezën e bisedimeve dypalëshe planin turk për të blerë një sistem raketar me rreze të gjatë veprimi.

Të martën, Turqia thërriti një takim të jashtëzakonshëm të NATO-s, ku 28 vendet anëtare diskutuan atë që e quajtën kërcënimi ndaj Turqisë, një vend kyç brenda aleancës. Në deklaratën përfundimtare, NATO shpreh mbështetjen e fortë për Turqinë, por ka raportime se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Bruksel, disa vende anëtare i kanë kërkuar Ankarasë që të mos përdorë forcë të tepruar dhe të rinisë bisedimet e paqes me përfaqësuesit e minoritetit kurd.

Top Channel