Antikanabisi në shkallë vendi, asgjësohen mbi 7 mijë rrënjë

29/07/2015 00:00

Policia e Shtetit vijon në shkallë vendi operacionin kundër kultivimit të bimëve narkotike, duke asgjësuar së fundmi mbi 7 mijë rrënjë në disa aksione të ndërmarra në Shkodër, Mallakastër e Vlorë.

Në Shkodër, operacioni është shtrirë në të gjithë qarkun, i përqendruar kryesisht në zonat e thella të Shkodrës dhe Pukës.

Kështu, në malin e fshatit Mnelë e Madhe në Shkodër, janë asgjësuar 1300 rrënjë të mbjella në 21 parcela, në fshatin Mazrek, po në Shkodër, janë gjetur 1 mijë rrënjë të mbjella në 11 parcela, ndërsa në fshatin Kaftallë të Pukës janë asgjësuar 2300 bimë.

Policia thotë se bimët varionin nga 50 deri në 200 centimetra të larta dhe një pjesë e mirë e tyre ishte gati për korrje. Bimët u asgjësuan përmes djegies, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien përballë drejtësisë me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike të personave përgjegjës.

Në Mallakastër, policia ka asgjësuar mbi 2 mijë rrënjë hashashi në fshatrat Anabreg, Çorrush dhe Kutë dhe ka nisur procedimin në gjendje të lirë për tre shtetas, kryepleq të fshatit me akuzën e moskallëzimit.

Ndërkohë, në Vlorë policia ka asgjësuar rreth 800 bimë narkotike të mbjella në një toka pa pronarë në fshatin Verbas. Bimët ishin mbjellë në një zonë pyjore dhe kishin kapur një lartësi deri në 150 centimetra. Policia thotë se po punon për identifikimin e autorëve të mbjelljes së bimëve narkotike.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel