Taksimi i lojërave të fatit, kompanitë nuk hapin pika të reja nëse kanë detyrime tatimore

29/07/2015 00:00

Subjektet e lojërave të fatit që kërkojnë hapjen e pikave të reja si në rastin e basteve sportive apo kazinove elektronike, nuk do të mund të zgjerojnë aktivitetin e tyre pa vërtetuar se nuk kane detyrime tatimore.

Ministri i Financave ka firmosur një ndryshim në udhëzimin për procedurat e hapjes dhe mbylljes së lojërave të fatit, sipas të cilit hapja e adresave sekondare mund të kryhet vetëm nëse këto subjekte paraqesin pranë njësisë së mbikqyrjes së lojërave të fatit vërtetimin për shlyerjen e të gjitha detyrimeve tatimore.

Udhëzimi i ri është një masë e marrë nga Ministria e Financave për të forcuar kontrollin në një prej sektorëve më problematikë sipas qeverisë, sa i përket shkallës së lartë të informalitetit, evazionit fiskal por shpeshherë edhe pasojave sociale negative për qytetarët. Për të luftuar paligjshmërinë në këtë sektor, Ministria e Brendshme nisi dy vite më parë një operacion të përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Lojërave të Fatit të njohur si ‘Fundi i Marrëzisë’, që ishte edhe aksioni i parë mbarëkombëtar i qeverisë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Forcat policorë bllokuan në të gjithë vendin qindra pika të lojrave të fatit të cilat nuk kishin shlyer detyrimet tatmore ose ishin të paliçencuara.

Paralelisht me këtë qeveria propozoi një projektligj që sipas saj propozon rregulla të qarta për ushtrimin e këtij aktiviteti. Por ndonëse ka kaluar në pjesën më të madhe të komisioneve, ky projektligj ka mbetur prej më shumë se katër muajsh në kuvend pa i kaluar për miratim parlamentit.

Në të kufizohet shtrirja territoriale e kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit. Për të kufizuar numrin e pikave të basteve sportive, ligji përcakton një numër maksimal sallash si dhe rrit distancën nga mesatarisht 20 në 200 metër nga njëra sallë në tjetrën por edhe nga shkollat dhe institucionet e fesë. Pojektligji përcakton një afat licensimi deri në 10 vite për bastet sportive ndërsa tarifa është dhjetëfishuar në 200 mln lekë.

Kurse për kazinotë tarifa e licensimit nis nga 1 mld lekë. Detyrimi tatimor nga shumë fikse përcaktohet në 25 % mbi të ardhurat bruto por jo më pak se 40 000 lekë për sallë për bastet sportive. Projektligji parashikon që nga data 31 mars 2016, 0.3 % e xhiros vjetore të lojërave të fatit të shkojë respektivisht për sportin, turizmin dhe kulturën.

Top Channel