Basha njeh diplomatët austriakë me shqetësimet e opozitës

29/07/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme austriake, Jan Kickert dhe Drejtorin për Ballkanin Perëndimor, Johannn Sattler.

Basha njohu diplomatët austriakë me shqetësimet e opozitës. Ai tha se vendi po bën kthim mbrapa dhe zhbërja e standardeve demokratike rrezikon seriozisht të ardhmen e Shqipërisë.

Sipas kreut të demokratëve, në zgjedhjet e fundit u shkelën rëndë standardet përmes blerjes  masive të votave, ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit, përfshirjes së administratës dhe institucioneve publike në skemën e trysnisë ndaj votuesve, kandidimi i personave me të shkuar kriminale.

“Inkriminimi i administratës dhe i politikës deri në nivelin e Parlamentit, janë shqetësim i madh për vendin. Pa çuar deri në fund dekriminalizimin për të cilin Partia Demokratike është e vendosur, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme europiane”, deklaroi Basha.

Keqqeverisja, sipas kreut të PD-së, po sjell pasoja dramatike në ekonomi dhe po shkakton padrejtësi të vazhdueshme, çka po nxit dhe numrin e lartë të bashkqytetarëve që ikin nga vendi dhe kërkojnë azil në Europë, duke vënë në rrezik lëvizjen e lirë dhe pa viza të qytetarëve shqiptarë.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krimi, korrupsioni dhe dhunimi i votës së lirë janë kthyer në pengesë dhe kërcënim të madh për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit europian.

Top Channel