Afganistani konfirmon: Kreu i talebanëve, Mullah Omar, ka vdekur dy vite më parë

29/07/2015 00:00

Presidenca afgane ka konfirmuar këtë të mërkurë vdekjen e udhëheqësit të talebanëve, Mullah Omar, dy vite më parë në Pakistan, duke cituar të dhëna të agjencisë afgane të inteligjencës, vetëm pak kohë pasi gjatë paradites kishte njoftuar nisjen e hetimeve mbi raportet e vdekjes së tij. Mullah Omar, ka qenë kreu i lëvizjes talebane gjatë kryengritjes së armatosur kundër qeverisë në Kabul.

Njoftimi erdhi vetëm një ditë, a diçka më shumë, përpara një raundi të dytë bisedimesh për paqen të tentuar për t’u mbajtur, por pasiguria mbi fatin e Omarit mund të thellojë përçarjet mes talebanëve, nëse do të duhet të zhvillojnë negociata me qeverinë e Afganistanit, apo se kush do të jetë pasuesi i tij.

Omar, i cili do të ishte rreth të 50-ave nëse nuk konfirmohej vdekja, nuk është parë në publik që pas arratisjes, kur talebanët u rrëzuan nga pushteti në Afganistan prej koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, teksa ka pasur spekulime prej vitesh mes qarqeve të militantëve se ai, ose mund të ishte gjymtuar dhe ishte i paaftë për të drejtuar më lëvizjen, ose mund të kishte vdekur.

“Jemi në dijeni të raporteve mbi vdekjen e Mullah Omarit, kreut të talebanëve”, tha më herët Sayed Zafar Hashemi, një zëdhënës i Presidentit Ashraf Ghani, për reporterët e interesuar. “Jemi ende në proces verifikimi të këtyre raporteve dhe, me të marrë ndonjë informacion më të saktë apo ndonjë identifikim, do t’ia bëjmë të ditur medias dhe popullit të Afganistanit”.

Zëdhënësi i talebanëve nuk ka dalë ende për të komentuar nëpër kanalet mediatike apo format e tjera të komunikimit, siç ka bërë në të kaluarën. Omar është shpallur “i vdekur” disa herë gjatë së kaluarës, por asnjë prej raporteve nuk është konfirmuar për vërtetësinë e tij.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby tha se, Shtetet e Bashkuara kanë nisur hetimet mbi vërtetësinë e raporteve të fundit. Komentet e fundit vijnë teksa përgatitjet për raundin e ardhshëm të bisedimeve mes qeverisë afgane dhe talebanëve janë në zhvillim e sipër, bisedime që janë planifikuar të mbahen të enjten ose të premten, në një vendndodhje ende të pakonfirmuar.

Top Channel