Gjykata Speciale, Kuvendi i Kosovës mblidhet javën e ardhshme

29/07/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar në seancë plenare paketën ligjore që ngre Gjykatën Speciale.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi mblodhi paraditen e së mërkurës në ambientet e Kuvendit deputetët e tij. Temë e takimit ka qenë ngritja e Gjykatës Speciale. Në fund të takimit Thaçi tha se janë marrë vesh që Kuvendi të mblidhet javën e ardhshme për të votuar për Gjykatën Speciale.

Ngritja e kësaj gjykate kundërshtohet jo vetëm nga partitë opozitare AAK, Vetëvendosje dhe Nisma, por edhe nga vetë deputetë të LDK-së dhe PDK-së.

Të hënën, Isa Mustafa deklaroi se deputetët e partisë së tij do të votojnë pa përjashtim pro gjykatës, ndërsa pritet që të njëjtën gjë u ka kërkuar edhe Hashim Thaçi të vetëve në takimin e zhvilluar këtë të mërkurë.

Krerët e institucioneve kosovare, gjatë ditëve të fundit kanë marrë mesazhe dhe porosi nga shumë diplomatë perëndimorë, që të mos humbin kohë, por të miratojnë Gjykatën Speciale para se Kuvendi të shkojë me pushime.

Në rast të një dështimi tjetër për ta miratuar Gjykatën Speciale në Kuvendin të Kosovës, të gjithë partnerët ndërkombëtarë u kanë deklaruar publikisht krerëve të Kosovës se, gjykata do të formohet me vendim të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Top Channel