Zvogëlohen pyjet e Shqipërisë, në 10 vjet kemi humbur 7 përqind

29/07/2015 00:00

Imazhet satelitore të mbulesës së tokës  kanë treguar se sipërfaqet e pyjeve në  të gjithë vendin tonë janë ulur ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit.

Prerjet, djegiet masive dhe erozioni  kanë bërë që sot të kemi 26 përqind sipërfaqe pyjore nga 33 përqind që kishim para një dekade.

Julian Beqiri, drejtor i Agjencisë së Mjedisit: Kemi një humbje nga 33 përqind në 26 përqind. Kërkohet medoemos të ndërhyhet në mënyrë me ekspertë dhe me investime. Kemi edhe zona dhe parqe kombëtare që bërthamën e kanë ruajtur, por përreth tyre kemi humbje të sipërfaqes pyjore, që kërkohet të investohet, të bëhet dhe të lihet njëherë e mirë e qetë e gjithë kjo pasuri kombëtare që Shqipëria në sipërfaqen pyjore.

Lefter Koka, ministër i Mjedisit: Vjet, me financim të qeverisë shqiptare me rreth 4.4 miliard lekë, arritëm të mbjellim një sipërfaqe jo të vogël, mbi 2 milionë fidanë pemë, e pandodhur kjo në 20 e ca vjet në Shqipëri. Rehabilituam disa zona të degraduara, siç është rasti i Kodrës së Currilave në Durrës, i dhamë besimin jo vetëm qytetarëve por edhe vetë qeverisë që në mundemi që në një zonë e konsideruar joproduktive, të rikthehet në një zonë, në një kodër tërheqëse, për t’i shërbyer turizmit, zhvillimit të ekonomisë dhe shumë drejtimeve të tjera.

Agjencia e Europiane e Mjedisit ka mbështetur ekspertët shqiptarë për fotografimin satelitor të gjendjes së tokës në Shqipëri, e cila ka pësuar dëme të mëdha që do të rëndojnë jo vetëm në mjedis po edhe në ekonomi.

Top Channel