Prokuroria kërkon 25 vjet burg për mësuesin pedofil

29/07/2015 00:00

25 vjet burg ka kërkuar prokuroria e Lushnjes për Demir Hoxhën, mësuesin që akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur. Ngjarja u bë publike në fillim të qershorit të këtij viti, kur e mitura, nxënëse e klasës së pestë, bëri denoncimin në polici, në shoqëri të prindërve të saj.

Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Hoxha ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur edhe në janar të këtij viti. Vetë ish mësuesi e ka pranuar akuzën, por ka deklaruar se e ka bërë një gjë të tillë përmes joshjes, dhe në asnjë rast me dhunë.  Edhe ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar faktin për të cilën akuzohet Hoxha.

Gjykimi ndaj Hoxhës u zhvillua me procedurë të përshpejtuar, dhe në përfundim të gjykimit u kërkua 25 vjet burg. Për shkak të këtij gjykimi, Demir Hoxha do të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit që do të vendosë gjykata.

Top Channel