Shqipëri-Serbi, në “Elbasan Arena”. UEFA refuzon stadiumin e patestuar të Shkodrës

29/07/2015 00:00

Ndryshe nga ç’kishte paralajmëruar kryeministri Rama, ndeshja e shumëpritur Shqipëri-Serbi do të luhet në “Elbasan Arena”. Lajmi u konfirmua nga Federata Shqiptare e Futbollit, sipas së cilës ka qenë UEFA, ajo që për çështje sigurie ka kërkuar zhvendosjen e ndeshjes nga Shkodra, në Elbasan.

“Federata Shqiptare e Futbollit informon se UEFA kërkon siguri të plotë dhe gjykon se ky takim nuk mund të zhvillohet në një stadium të ngritur rishtazi. Sipas UEFA-s, stadiumi i ri duhet testuar fillimisht në një miqësore të nivelit të lartë, e më pas mund të zhvillojë normalisht ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Për këtë arsye, ajo vendosi që takimi Shqipëri-Serbi të organizohet në ‘Elbasan Arena’. Ndërkohë, në muajin nëntor, FSHF do të sigurojë një miqësore ndërkombëtare të nivelit të lartë për ta zhvilluar në Shkodër”, tha Jona Dervishi, zëdhënëse e FSHF-së.

Shqipëria dhe Serbia do të përballen më 8 tetor në ndeshjen e vlefshme për grupin I të kualifikueseve të Europianit “Francë 2016”. Me trepikëshin e marrë nga CAS-i, Shqipëria aktualisht mban vendin e dytë në grup, me 10 pikë, po aq sa Danimarka, me të cilën do të ndeshemi në shtator, ndërkohë që Serbia ndodhet në kuotën e minus 2 pikëve, pa asnjë shpresë për kualifikim.

Top Channel