Fier, polici rivarroset si dëshmor; Llambi Bardhi u vra më 29 korrik 2005

29/07/2015 00:00

Eshtrat e Dëshmorit të Atdheut, ish efektivit të policisë shqiptare, Llambi Bardhi nga dita e sotme do të prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Fier.

Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij është mbajtur mesditën e së mërkurës, me praninë e dhjetra uniformave blu, ish kolege të  tij, familjarëve, drejtuesve te policisë së qarkut, të ministrisë së Brendshme etj.

Në tingujt  e marshit funebër kortezhi i të pranishëmve nderoi arkemortin me eshtrat e  ish policit Bardhi. Tufa dhe kurora  me lule u vendosën në arkëmort, ndërsa flamuri  i policisë dhe kapelja e këtij efektivi iu dorëzua familjës së Dëshmorit të Atdheut.

“Kjo që po bëjmë sot nuk do të arrijë të kompensojë çdo dhimbje të familjarëve dhe kolegëve për humbjen e Llambit, të rënë në krye të detyrës. Por është detyrim i joni që për titullin e nderuar “Dëshmor i Atdheut”, ai të prehet në vendin e merituar të dëshmorëve, 10 vite më parë kolegu ynë u vra teksa po ushtronte detyrën e tij. Ai u vra për më shumë siguri për familjet tona, për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë”, kujtoi Neritan Nallbati, drejtor i Policisë, Fier.

Nën breshërinë e armëve dhe tingujt funebër u zhvillua dhe ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit. Dëshmori i Atdheut Llambi Bardhi nga Libofsha ra në krye të detyrës me 29 Korrik 2005.

Top Channel