Themelimi i Gjykatës Speciale, Thaçi mbledh deputetët e PDK-së: Është në të mirën e Kosovës

29/07/2015 00:00

Pas një mbledhjeje të gjatë me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe njëkohësisht kryetar i kësaj partie konfirmoi se, Kuvendi do të votojë për Gjykatën Speciale javën e ardhshme.

Thaçi u shpreh optimist se, kësaj radhe, deputetët e partisë së tij do të jenë “pro” formimit të Speciales.

“Unë dëshiroj të besoj, por është edhe këshillë e rekomandim, që gjatë javës së ardhshme kjo çështje të procedohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale. Kjo është në interesin e politikës së Kosovës, në interesin e institucioneve të vendit, në interesin e shoqërisë kosovare, në interesin e perspektivës euroatlantike. Por natyrisht është edhe në interesin e së kaluarës, të së ardhmes së shtetit të Kosovës dhe e vazhdimësisë së thellimit të partneritetit me Bashkimin Evropian, me NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Pavarësisht diskutimeve të gjata në grupin parlamentar të PDK-së, jo të gjithë deputetët kundërshtarë të Speciales kanë ndryshuar mendje. Deputetja Ganimete Musliu, e cila herën e parë ka votuar kundër Speciales, tha se ajo nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Unë e kam thënë publikisht se, në momentin që unë do të ndryshoj mendim do ta jap qëndrimin tim publikisht. Unë nuk kam ndryshuar asgjë deri më tani, kështu që nuk kam çfarë të shtoj më tepër për gjykatën, nga sa kam thënë deri më sot”, tha Ganimete Musliu, deputete e PDK-së.

Për miratimin e amendamentit kushtetues, që i hap rrugë formimit të Gjykatës Speciale, nevojiten 80 vota nga deputetët. Koalicioni qeverisës numëron në Kuvend 86 deputetë. Por, në seancën kur u votua për Specialen, disa deputetë të PDK-së kanë votuar kundër, e disa të tjerë nuk kanë marrë fare pjesë.

Top Channel