Prokuroria: 74 vjet burg për grupin e heroinës

29/07/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me një total prej 74 vitesh burg për 6 persona të akuzuar për trafik heroine nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Arrestimi i tyre është kryer më datë 16 prill 2014, pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, ku grupi po tentonte të kalonte në drejtim të Greqisë rreth 2.6 kilogramë heroinë.

Ndaj këtyre personave është zhvilluar hetimi proaktiv, i drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pak javë para arrestimit të tyre.

Në bazë të këtij hetimi rezultoi se 6 të pandehurit, si edhe disa persona të tjerë ishin pjesë e një grupi që trafikonte lëndë narkotike nga vendi ynë drejt atij fqinj.

Pavarësisht qëndrimit mohues të disa prej të pandehurve lidhur me veprat penale për të cilat akuzohen, pala e akuzës ka siguruar provat e plota dhe kërkon për ta dënimet:

Renato Shopi, 14 vjet burgim

Aleks Kreci, 13 vjet burgim

Shyqyri Hasalla, 13 vjet burgim

Ardian Shurdha, 12 vjet burgim

Eli Djali, 11 vjet burgim

Dritan Qesja, 11 vjet burgim

Gjykata ka pranuar kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar dhe nëse shpallen fajtorë ata do të përfitojnë uljen 1/3 së dënimit. Ndërkohë, i bashkëpandehur me këta persona është edhe shtetasi Ervis Haskolli, i cili gjykohet më vete.

Top Channel