Korça “derdhet” në festë pas fitores. Optimistë për futjen në fazën e grupeve

29/07/2015 00:00

Është dashur vërshëllima e fundit e ndeshjes në Kishiniev të Moldavisë, që tifozët e Skënderbeut të derdhen në rrugët e Korçës për të festuar fitoren 0-2 të djemve të Mirel Josës, të cilët janë shumë pranë hyrjes në histori si skuadra e parë shqiptare, që merr pjesë në fazën e grupeve të një kompeticioni europian.

Ndërkohë që tifozët janë optimistë për ecurinë e skuadrës, trajneri Josa shprehet më i tërhequr, ndërsa Salihi, duke njohur entuziazmin e tifozëve, mendon se Shqipëria mund të ketë një skuadër në një kompeticion të madh.

“Për mua asgjë nuk ka mbaruar. Rezultate të tilla kam provuar edhe në të kaluarën dhe e di se çfarë sikletesh kam hequr, në momentin që kishim fituar 2-0 me Gomel (skuadër bjelloruse) atje me skuadrën e Tiranës, e më pas kemi ngrënë gol në pjesën e parë, kurse në të dytën patëm një lojë katastrofike. Futbolli i tillë është”, u shpreh trajneri Mirel Josa, pas ndeshjes.

“Ky ekip i ka potencialet dhe të gjitha mundësitë për ta bërë realitet jo vetëm ëndrrën tonë, por edhe të të gjithë shqiptarëve, të luajturin në grupet e një kompeticioni europian, pavarësisht nëse është Europa League apo Champions League”, deklaroi pas ndeshjes autori i dygolëshit, Hamdi Salihi.

Tifozët dhe qytetarë të shumtë të qytetit të Korçës kanë festuar nën tingujt e serenatave deri në orët e vona të natës.

Top Channel