Ja si janë xhinset e reja në modë

29/07/2015 00:00

Nëse xhinset do të flisnin, do të kishin mjaft histori për të treguar. Të veshura nga të gjithë, të çdo moshe, janë ndryshuar dhe trajtuar në shekuj. Grisjet e tij, në modë që nga vitet ’80, janë rikthyer. Por tashmë me një tjetër variant: të grisura vetëm tek gjunjtë.

Por nuk është moda e lartë që “shkruan këtë ligj”, por ajo e rrugës. Mjafton të shohësh një VIP me këtë lloj xhinsi dhe mendon: “Më pëlqejnë, i dua dhe unë”. E lehtë, dhe më pas përhapet trendi.

Ndikimi i yjeve
Revistat janë të mbushura plot me njerëz të famshëm me xhinse të grisura. Por marrim shembullin më të fundit: Kylie Jenner. Modelja amerikane mban xhinse të grisura në gjunjë. Dhe siç thuhet yjet bëjnë tendencën, dashur pa dashur. Ose të paktën, ndikojnë tek shijet.

Mes zbardhuesit dhe gurëve
Grisja e xhinseve në gjunjë është një modë e viteve të fundit. Pas çngjyrosjes me zbardhues, një tjetër model ishte dhe ai i hollimit të xhinseve nëpërmjet gurëve. “Një grisje e studiuar mirë është më e matur, dhe mund të vishet edhe gjatë mbrëmjeve, apo në një kokteil, me një xhaketë apo diçka elegante. Nuk stonon. Por një xhins i grisur nga të gjitha anët, nuk është e duhura”, thotë Guido Biondi, drejtori krijues i Roy Roger.

Efekti jetësor
Por pse duhen grisur pikërisht tek gjunjtë? “Ndoshta sepse ajo është zona ku vetëvetiu në mënyrë natyrale mund të hollohen xhinset, duke dhënë efektin sikur vërtetë ka ndodhur kështu, sikur grisja të jetë krijuar vetë nga përdorimi”, thotë Biondi.

Çështje shijesh
Ata që nuk kanë ftohtë nuk do të ngurojnë të veshin këto lloj xhinsesh në vjeshë. Por problemi është se një veshje e tillë është më e bukur kur ajo është e qartë. Në dimër, tentohet më shumë tek ngjyra e errët. Por, varet nga shijet. Gjithçka është e diskutueshme.

Bëji vetë
Kostoja e një palë xhinsesh është në proporcion me numrin e trajtimeve që i është bërë. Grisjet mbi gju rrisin çmimin e veshjes. Kështu, kush ka dëshirë të ndjekë trendin, mund t’i bëjë vetë xhinset në modë. Nuk do shumë punë. Mjaftojnë një palë gërshërë, një gjilpërë dhe një video udhëzuese në YouTube.

Përdorimi masiv
Por kur lindi ideja e grisjes së xhinseve? Është e vështirë të gjesh një datë të saktë, por një gjë është e ditur: lulzimin e tyre e patën në vitet ’80. “Në të vërtetë ato janë shfaqur në fund të viteve ’70 në Londër, dhe këtë e tregojnë foto tona të arkivit”, vijon Biondi.

Sinonim i rebelimit
Nuk i shpikën stilistët. “Ishin një simbol rebelimi në vitet e kundërshtimit, hipitë grisnin xhinset si shenjë revolucioni, të ndarjes me të shkuarën. Më pas erdhën punk me pantallona të ngushta dhe xhaketa xhins pa krahë”, thotë drejtori krijues i Roy Roger. Grisja i rezistoi ndryshimit dhe u bë një trend për të gjithë.

Kush i krijoi xhinset?
Kthehemi në shekullin e 19-të. Krijimi i takon Levi Strauss. Ai ndërtoi pasurinë e tij në 1953 duke u transferuar nga Nju Jorku në San Francisko duke ndjekur “gjahtarët e arit” në Far West (Perëndimin e largët). Me një kanavacë për të mbuluar pasurinë ai qepi prototipin e parë të xhinseve. Më pas, prodhoi të njëjtën pëlhurë pak a shumë të ngjashme, Denim, i quajtur kështu nga origjina e Nimes në Francë.

Prejardhja e fjalës
Në këtë diskutim historik, italianët marrin përsipër pjesën e tyre. Fija e pantallonave ishte krijuar më parë në Genova dhe eksportohej jashtë shtetit. Fjala “Jeans” vjen nga fjala “Genes”, që është termi që italianët i drejtoheshin xhenovezëve.

Top Channel