Iran, Fabius zhvillon vizitën e parë në 12 vite. Fton Rouhanin në Francë

29/07/2015 00:00

Në atë që konsiderohet si vizita e parë në Iran prej 12 vitesh e një ministri të Jashtëm francez, Laurent Fabius përcolli një ftesë të Presidentit Francois Hollande për homologun e tij iranian, Hassan Rouhani, që ky i fundit të vizitojë Francën gjatë muajit nëntor.

Nëse Rouhani do ta pranojë atë, ai do të bëhet Presidenti i parë iranian që do të kryejë një vizitë shtetërore në Francë që prej vitit 1999.

Kryediplomati francez, Fabius synon të sfumojë ndonjë tension të mundshëm në marrëdhëniet e krijuara nga qëndrimi i vijës së ashpër në Francë gjatë negociatave, të cilat në fakt prodhuan një marrëveshje historike bërthamore më 14 korrik, e në këtë mënyrë të mund të krijojë një klimë të favorshme për lidhje më të forta ekonomike mes dy vendeve.

Franca shpreson të sigurojë marrëveshje biznesi me Iranin, sapo sanksionet e Perëndimit të hiqen bazuar mbi marrëveshjen e re bërthamore, ndaj dhe Fabius u shpreh gjatë javës së kaluar se, qëndrimi i ashpër i tij gjatë negociatave të muajit të kaluar nuk do të jetë i njëjtë edhe me mënyrën sesi do t’i konsiderojë Franca mundësitë tregtare me Iranin.

“Shpresojmë që gjërat të mund të ndryshojnë”, tha ai përpara reporterëve në Teheran, gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif, që u transmetua edhe në televizionin francez. “Ne dëshirojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona nga të dyja palët, për të përcaktuar kështu një drejtim të ri”, deklaroi Fabius, duke konfirmuar edhe ftesën e Hollande për Rouhanin.

Ministri iranian për Naftën, Bijan Zanganeh është cituar nga agjencia e lajmeve “Shana” të ketë thënë – pas takimit ne Fabius, – se Irani do të hyjë në një kapitull të ri të bashkëpunimit me kompaninë franceze të energjisë “Total”.

Megjithatë, prodhuesi francez i makinave, “PSA Peugeot Citroen”, deklaroi se bisedimet e tij për një sipërmarrje të përbashkët në fushën e prodhimit me prodhuesin më të madh iranian të makinave janë duke u penguar pikërisht për këtë arsye.

Fabius u shpreh se makinat, agrikultura dhe mjedisi do të kenë fokusin e veçantë të delegacionit të nivelit të lartë francez për çështjet ekonomike dhe ato të biznesit, kur të kryhet vizita në Iran gjatë shtatorit. “Renault” dhe “Peugeot” kanë qenë ndër “lojtarët” kryesorë në sektorin e automobilave në Iran, përpara se të vendoseshin sanksionet e Perëndimit në vitin 2011.

Ministri francez u takua me homologun e tij, Mohammad Javad Zarif dhe Zanganeh në vizitën e tij njëditore, teksa do të takohej edhe me ministrin e Industrisë, Mohammad Reza Nematzadeh, dhe me Masoumeh Ebtekar, kreun e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA. Zarif u shpreh se i gjithë takimi shkoi mirë. “Nisëm diskutime tepër pozitive për të arritur një bashkëpunin rajonal në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, tha ai gjatë konferencës për shtyp të transmetuar edhe në televizion.

Top Channel