Turqia përshkallëzon sulmet ndaj kurdëve. Lufta në dy fronte, e rrezikshme

29/07/2015 00:00

Avionët luftarakë të Turqisë kanë nisur atë që konsiderohet si ofensiva më e ashpër deri më sot kundër militantëve kurdë në veri të Irakut, që prej nisjes së sulmeve ajrore gjatë javës së kaluar, vetëm pak orë pasi Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se, procesi i paqes është bërë i pamundur.

Sulmet goditën objektivat e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), përfshi vendstrehimet, depot e armatimeve dhe shpellat në 6 zona të ndryshme gjatë natës, bëhet e ditur nga zyra e kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu. Një zyrtar i lartë i vendit tha për “Reuters” se ky ishte sulmi më i fuqishëm ndaj tyre, që kur nisi fushata ushtarake.

Iraku i ka dënuar sulmet ajrore, duke i quajtur si “një përshkallëzim i rrezikshëm dhe një sulm ndaj sovranitetit të vendit”, e duke thënë se Bagdadi do të angazhohet të sigurojë se sulmet e militantëve kurdë ndaj Turqisë të mos kryhen asnjëherë nga territori irakian.

Turqia nisi sulme të njëkohshme ndaj kampeve të PKK-së në Irak dhe ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri gjatë së premtes së kaluar, në atë që Davutoglu e quajti si “luftë e sinkronizuar kundër terrorizmit”.

Përfshirja në dy fronte konfliktesh është një strategji me rrezikshmëri të lartë për vendin anëtar të NATO-s, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj kërcënimeve për hakmarrje nga xhihadistët dhe militantët kurdë. Gjermania paralajmëroi gjatë së mërkurës se mund të ndërmerren sulme të mundshme ndaj sistemeve hekurudhore nëntokësore dhe nëpër stacionet e autobusëve në Stamboll.

Turqia ka vënë gjithashtu edhe bazat ajrore të saj në dispozicion të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik, duke iu bashkuar kështu vijës së parë të sulmit në betejën kundër xhihadistëve, pas muajsh të tërë ngurrimi. NATO ka dhënë mbështetjen e plotë politike ndaj Turqisë ditën e martë.

Por, sulmet e Turqisë ndaj PKK-së deri më tani kanë rezultuar edhe më të rënda sesa sulmet kundër Shtetit Islamik, duke shtuar dyshimet se axhenda reale e këtij vendi është ruajtja nën kontroll e ambicieve politike dhe territoriale të kurdëve, diçka që faktikisht qeveria turke e mohon.

Ndër 1302 personat e arrestuar së fundi, në atë që zyrtarët e vendit e kanë përshkruar si “betejë me të drejta të plota kundër grupeve terroriste”, 847 prej tyre akuzohen për lidhje me PKK-në dhe vetëm 137 për lidhje me Shtetin Islamik, siç bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Bulent Arinc.

Turqia ka bërë të qartë gjithashtu se operacionet e sja kundër Shtetit Islamik në Siri nuk do të përfshijnë edhe mburojën nga ajri të luftëtarëve kurdë të Sirisë, të cilët gjithashtu janë duke luftuar xhihadistët e ISIS.

Top Channel