Vrau luanin simbol në Zimbabve, në kërkim turisti amerikan

29/07/2015 00:00

Dy banorë vendas të akuzuar se kanë ndihmuar një turist amerikan të vriste luanin më të famshëm në Zimbabve janë thirrur nga një gjykatë e këtij vendi për të dhënë sqarime.

Gjahtari profesionist Theo Bronkhorst dhe pronari i një ferme Honest Ndlovu janë akuzuar për shkelje të rregullave të gjuetisë.

Por dy të pandehurit kanë paguar garancinë prej 1 mijë dollarë secili dhe janë lënë të lirë, por janë urdhëruar të paraqiten sërish në gjyq më 5 gusht.

Turisti amerikan, Walter Palmer, i cili qëlloi për vdekje luanin e njohur me emrin Cecil, është larguar nga Zimbabve por sërish mund të përballet me akuza.

Palmer tha se kishte paguar për gjuetinë dhe se nuk ishte në dijeni të faktit se luani Cecil ishte simbol i vendit. Ai tha se i vjen keq për vrasjen e kafshës dhe se ishte i bindur se po kryente gjueti në përputhje me ligjet.

Cecil dyshohet të jetë vrarë më 1 korrik, por polemikat që lindën në lidhje me të kanë dalë në dritë vetëm ditët e fundit. Gjahtari Bronkhorst dhe bashkëpunëtori i tij, Ndlovu mund të përballen me 15 vjet burg nëse shpallen fajtorë.

Turisti amerikan dyshohet se e ka qëlluar luanin me hark dhe grupi i tij e ka gjetur kafshën e plagosur vetëm 40 orë më vonë, kur e kanë qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Gjykata e vendit afrikan ka zbuluar gjithashtu se, Palmer ka një preçedent të ngjashëm edhe në Shtetet e Bashkuara, pasi ka vrarë një ari të zi në vitin 2006 në Uiskonsin.

Nuk kanë munguar reagimet e shtetasve amerikanë në rrjetet sociale, të cilët e kanë quajtur Palmer një “vrasës të neveritshëm”, ndërsa i kanë shprehur solidaritetin e tyre vendit afrikan.

Top Channel