Mes azilit dhe krahut të ri të punës, Gjermania kërkon profesionistë

29/07/2015 00:00

Teksa Gjermania po kthen mbrapsht qindra azilkërkues nëpër shtetet e tyre, disa studime rreth tregut të punës atje tregojnë se vendi po vuan për krah të ri punëtor.

Sipas “Wall Street Journal”, Gjermania zë vendin e parë në rang global, sa i përket fenomenit të plakjes së popullsisë, e shkak për këtë është bërë ulja e lindshmërive në mënyre drastike, madje edhe më shumë sesa në Japoni.

“Në kompanitë e nivelit të mesëm, që formojnë shtyllën kurrizore industriale të Gjermanisë, personat që i menaxhojnë janë duke u thinjur”, shkruan prestigjiozja amerikane. Gjithashtu, profesionistë të tjerë, që ndihmuan në bumin ekonomik të vendit në dekadat e fundit, i përkasin grupmoshës 50-60 vjeç.

Sipas një sondazhi nga Banka për Zhvillim “KfW”, ky fenomen mund të ketë një ndikim të rëndësishëm financiar. Më shumë se 3.5 milionë biznese të vogla dhe të mesme të Gjermanisë, kanë rreth 60% të fuqisë punëtore dhe më shumë se gjysmën e prodhimit të saj ekonomik.

Ndërkaq, një tjetër studim flet se, me rritjen e moshës së profesionistëve, e kryesisht atyre me poste ekzekutive, ulet produktiviteti i punës, pasi ata janë më pak të etur për të investuar në biznes apo në dijet e tyre për të ecur me hapin e kohës.

Deri në vitin 2017, sipas Bankës për Zhvillim “KfW”, puna e 4 milionë punonjësve në 580 mijë kompanitë e mesme, do të varet nga tranzicioni, që do të pësojnë postet drejtuese të këtyre koorporatave.

Po ashtu, “Huffington Post” shkruan një artikull, ku shpjegon sesi qindra mjekë janë nisur drejt Gjermanisë për të filluar punë në profesionin e tyre, madje shumica e tyre janë grekë. Greqia ka më shumë doktorë sesa çdo vend tjetër: një në 158 persona mban titullin doktor.

Meqë Greqia për momentin nuk e përballon një fluks të tillë, më shumë se 7500 mjekë janë larguar drejt Europës. Por Gjermania, sipas prestigjiozes amerikane, po i kthen thuajse të gjithë azilkërkuesit, pa marrë parasysh edhe profesionet e tyre, të cilat në fund të fundit mund të jenë të dobishme edhe për vendin.

Top Channel