Vlorë, vazhdon aksioni polici-tatime; mbi 10 milionë gjobat e vjelura

29/07/2015 00:00

Policia e Vlorës ka vazhduar operacionin e përbashkët me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve kundër subjekteve private që rezultojnë debitore ndaj shtetit.

Sipas një njoftimi për shtyp, gjobat e vendosura në total ndaj 141 subjekteve të kontrolluara kanë arritur vlerën monetare prej 10 milionë e 575 mijë lekë të reja.

Sipas njoftimit, vetëm në tre ditët e fundit janë kontrolluar 86 subjekte, nga të cilat 18 janë ndëshkuar me masa të ndryshme.

Kështu, ndaj 2 subjekteve është marrë masa e konfiskimit të mallit, ndaj 15 të tjerave është vendosur gjobë, ndërsa ndaj një subjekti tjetër ka nisur procedura hetimore për deklarim të rremë të pronës.

Mallrat e konfiskuara nga subjektet tregtare janë kryesisht: pije alkoolike, pije freskuese, produkte farmaceutike, kozmetike, materiale ndërtimi, kompjutera dhe printera.

Në njoftimin zyrtar shtohet më tej se Policia e Qarkut Vlorë po heton edhe ata punonjës të organeve tatimore që nuk kanë kryer detyrën duke toleruar subjektet në fjalë që të vazhdojnë aktivitetin, në kundërshtim me ligjin.

Top Channel