Abuzimet me të miturit në Australi, akuza për më shumë se 1 mijë “Dëshmitarë të Jehovait”

29/07/2015 00:00

Më shumë se 1 mijë “Dëshmitarë të Jehovait” në Australi, janë akuzuar për abuzim seksual ndaj të miturve, mirëpo deri tani askush prej tyre nuk ka vuajtur pasojat e drejtësisë për këtë akt të rëndë.

Kjo ka ndodhur pasi ata që drejtojnë kishat e Jehovait kanë një politikë shumë të rreptë për ruajtjen e informacionit brenda sektit të tyre.

Por sipas “Sydney Morning Herald”, kohët e fundit ka pasur rreth 60 akuza të ngritura në polici që çuan autoritet të zbardhnin rastet, disa prej të cilave datojnë që në vitet 1950. Ndër shumë dëshmi, një prej viktimave tha se ishte abuzuar seksualisht që në moshën 15 vjeçare nga njëri prej drejtuesve të kishës, por komisioni me dëshmitarët e Jehovait ishte përpjekur me vite me radhë që t’i kthenin mendjen për të mos dëshmuar me justifikimin se në këtë mënyrë do të hidhej baltë në emër të besimit të tyre.

Ka rreth 70.000 Dëshmitarë aktivë të Jehovait në Australi, e ndërsa në mbarë botën numërohen më shumë se 8 milionë të tillë.

Dëshmitarët e Jehovait janë anëtarë të një lëvizjeje të bazuar, sipas tyre, në krishterim, të cilët e filluan aktivitetin në SHBA në shekullin e 19-të. Ata e ushtrojnë ritualin e tyre fetar duke shkuar derë më derë për të ndarë besimin e tyre me të tjerë. Në këtë mënyrë ata përpiqen të afrojnë edhe njerëz të rinj pranë këtij sekti.

Për vite të tëra, “Dëshmitarët e Jahovait” janë përfolur nga autoritetet si një kult i rrezikshëm, duke iu referuar ritualeve të tyre vdekjeprurërese. Ndërsa skandali i radhës, lidhur me abuzimet seksuale të fëmijëve, ka bërë jehonë në mbarë botën, si një shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Top Channel