Gjenden pjesë të avionit të “Malaysia Airlines” të zhdukur vitin e kaluar

30/07/2015 00:00

Pas më shumë se një viti nga zhdukja e avionit të “Malaysia Airlines”, hetuesit e aksidenteve ajrore besojnë se kanë gjetur pjesë të cilat, sipas tyre, i përkasin MH370, të zhdukur më 8 mars të vitit të kaluar.

Pasi kanë vëzhguar me imtësi fotot e një pjese të gjetur në Oqeanin Indian, rreth 380 milje nga brigjet e Madagaskarit, ekspertët shprehen të sigurt që ajo është një pjesë e një avioni Boeing 777 dhe me shumë mundësi i përket atij të kompanisë “Malaysia Airlines”.

Që prej vitit 1994, kur Boeing 777 u prezantua, ka pasur 5 aksidente, përfshirë edhe MH370, i cili është i vetmi avion që është zhdukur mbi det. Kjo është një ndër arsye që i ka bërë hetuesit të besojnë se më në fund kanë gjetur diçka që i përket avionit, për të cilin janë ngritur hipoteza të shumta. Megjithatë, për ta konfirmuar këtë hetuesve i duhet t’i shqyrtojnë nga afër mbetjet e gjetura.

Hetuesit e sigurisë ajrore kanë identifikuar një mbetje rreth 2 metra të gjatë, e cila mendohet se është pjesë e krahut të avionit, ka thënë një zyrtar amerikan.

“Do të punojmë me kolegët tanë francezë për të dalë në përfundimin nëse pjesa e gjetur i përket apo jo MH370. Por ky konstatim kërkon kohë”, ka thënë një zyrtar i Byrosë australiane të Sigurisë së Transportit.

Ndërsa, ministri i Transportit të Malajzisë, tha në Nju Jork, në mbledhjen e OKB-së, se ka dërguar një ekip për të verifikuar pjesën e gjetur.

“Çdo pjesë e gjetur duhet të verifikohet me kujdes dhe më pas të dalim në përfundime nëse i përket apo jo MH370”, tha Liow Tiong Lai.

Nëse pjesa e gjetur rezulton të jetë nga avioni i “Malaysia Airlines”, atëherë do të jetë prova e parë në përpjekjen për të zbuluar se çfarë ndodhi me avionin e zhdukur në 2014-ën, në bordin e të cilit gjendeshin 239 persona.

Komponenti u zbulua nga persona të cilët ishin duke pastruar plazhin në ishullin La Reunion, në lindje të Madakaskarit, më shumë se 3.800 milje nga zona ku MH370 pati kontaktin e fundit.

Një dëshmitar ka thënë: “Ajo ishte e mbuluar me guaska, kështu që mendoj se ka qëndruar për një kohë të gjatë në ujë”.

Xavier Tytelman, një ekspert në sigurinë e aviacionit, ka thënë se fotot e publikuara në mediat lokale tregojnë ngjashmëri të pabesueshme me një pjesë të krahut të avionit, ndërsa një zyrtar amerikan ka thënë se në foto duket një element unik i Boeing 777, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Tashmë pritet një hetim i hollësishëm i pjesës së gjetur, për t’i hapur rrugën zbulimit të një prej mistereve më të mëdha në historinë e aviacionit.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel