Investimet e mëdha dhe hallet tona urbane

30/07/2015 00:00

Nga dr. Drini Imami – Teksa sot po diskutohet rreth përmirësimit të rrjetit rrugor– krahas nevojës së ndërtimit të rrugëve të reja dhe përfundimit të rrugëve në ndërtim, vëmendje e veçantë po i kushtohet mirëmbajtjes dhe menaxhimit të rrugëve ekzistuese.

Sot Shqipëria ka një stok të konsiderueshëm infrastrukture në transportin publik, krahasuar me 10 apo 15 vjet më parë. Njohuritë bazike të ekonomiksit na e bëjnë të qartë se stoku i kapitalit, është faktor kyç i zhvillimit të ekonomisë të një vendi, porse nga ana tjetër, me rritjen e stokut të kapitalit, kemi edhe rritjen e kostos së amortizimit.

Është e paevitueshme, që me rritjen e stokut të kapitalit në infrastrukturën publike, kërkesa për më shumë burime për mirëmbajtjen e tyre (veçanërisht rrugëve) do jetë gjithmonë e më e madhe. Për më tepër, duke pasur parasysh kushtet e mjerueshme në të cilat ndodhen shumë rrugë, duke rritur ekspozimin e qytetarëve ndaj riskut të lartë të aksidenteve, përmirësimi i infrastrukturës rrugore është një domosdoshmëri.

Dhe në kushtet e kufizimeve buxhetore, opsioni i dhënies së rrugëve me koncesion, duket si mundësi e papërshtatshme, me gjithë pakënaqësitë që në dukje mund të shkaktojë kjo gjë. Sidoqoftë, zgjedhjet nuk do jenë të lehta dhe do kenë koston e tyre (buxhetore ose edhe politike).

Me gjithë investimet publike në rritje, ato mbeten të vogla në raport me investimet private – dhe kështu duhet të jetë (argumentojnë shumë ekonomistë). Mjafton të shikojmë pallatet e panumërta të ndërtuara në qytetet kryesore, veçanërisht në Tiranën kampione të ndërtimeve (me leje dhe pa leje), për të konfirmuar këtë realitet. Edhe stoku i kapitalit privat, i nënshtrohet amortizimit; dhe ai ka nevojë për mirëmbajtje.

Në pamje të parë, nuk duhet të ketë probleme – çdo pronar (vile, apartamenti, fabrike etj.,) sipas nevojës dhe mundësisë, mund të kryejë shërbimet e mirëmbajtjes, evidentojë kostot e amortizimit (kur kjo nevojitet, si p.sh. në rastin e firmave private), dhe tenton të gjejë zgjidhje më eficente, në krahasim me sektorin publik.

Por ja që nuk është aq e lehtë sa duket. Një pjesë e madhe e infrastrukturës së banimit konsiston në pallate – ku kufijtë midis të përbashkëtës dhe pronës private, nuk ndahen dot lehtë. Mjafton të kujtojmë mirëmbajtjen e ashensorit, ujit, pastrimit etj., çka jo vetëm ndikojnë në cilësinë e jetesës, porse kur nuk funksionojnë si duhet, ekspozojnë ndaj rreziqeve të ndryshme banorët, si edhe shpesh bëhen edhe mollë sherri mes tyre. Rrallëkush, nuk është ndeshur me probleme të tilla.

Ashensorët. Një pjesë e madhe e pallateve (me ashensorë) kanë më shumë se 10 vjet që janë ndërtuar, disa kanë 15 vjet. Do të thotë se amortizimi teknik dhe ekonomik i ashensorëve është i madh (sigurisht varion rast pas rasti). Firma të ndryshme janë angazhuar për mirëmbajtjen e tyre (në ato raste kur banorët arrijnë të organizohen, ose kur firmat ndërtuese kanë marrë përsipër menaxhimin e komplekseve që kanë ndërtuar – pasi ka jo pak raste, kur për shkak të paaftësisë së banorëve për t’u organizuar, ashensorët nuk punojnë).

Por nga observimet e thjeshta, është e dukshme, se nuk ka standarde. Ka ashensorë që mbeten gjatë jashtë funksionit për shkak të defekteve, ka nga ata që janë në funksion me gjithë defektet dhe risqet që ekzistojnë (kam qenë vetë dëshmitar i disa rasteve, përfshirë edhe të një aksidenti, për fat të mirë, pa pasoja).

Tregu i lirë, sektori privat, nuk arrijnë të ofrojë shërbime funksionale e siguri të kënaqshme, amortizimi teknik (jo vetëm ai ekonomik) mbetet një problem i madh dhe do bëhet gjithmonë e më i mprehtë – kemi dukshëm atë që quhet “dështim tregu” dhe që imponon ndërhyrjen e përligjur të shtetit.

Uji. Në kushtet e mungesës së furnizimit të rregullt me ujë, banorët, kanë gjetur zgjidhjet e tyre – rrallëherë kanë qenë zgjidhje komunitare – tipikisht, në pallatet ku nuk janë ndërtuar kapacitete të mjaftueshme ruajtëse të ujit nga ndërtuesit për gjithë pallatin, banorët, kanë bërë secili zgjidhjen e tyre. Mënyra, më klasike – vendosja e depozitës në tarracë.

E si rrjedhojë, dikujt i pikon tarraca, dikush tjetër shqetësohet nga zhurma – mjafton të kujtojmë se si zgjimi i mëngjesit bëhet me muzikën e “orkestrës së pompave të ujit” – njëra më e fuqishme, tjetra më e dobët, njëra më e re, tjetra më e vjetër.

Por ajo që më tremb më shumë, është se si vendosen kaq shumë depozita mbi kullat e ashensorëve – pa bërë llogari se sa mund të mbajnë. E nëse do ndodhë (o Zot na ruaj!!!) që të shembet ndonjëra prej tyre, kush do të jetë përgjegjës? Administratorët, apo banorët që nuk e pyesin administratorin se ku i vendosin depozitat..?? Dhe këtu kemi dështim tregu – sektori privat (me administratorët apo pseudoadministratorët e pallateve) nuk arrin të zgjidhë një problem të tillë, çka imponon ndërhyrjen e përligjur të shtetit.

Frika rritet, sepse ndërsa vitet kalojnë dhe asgjë nuk bëhet, dhe risku rritet. Dhe në këtë rast, ndryshe nga infrastruktura rrugore publike, zgjidhjet janë shumë më të lehta dhe me pak ose aspak kosto për shtetin. Mjafton një kornizë e mirë ligjore dhe një rregullim i këtij sektori.

Firma private të licencuara dhe të mbikëqyrura, me kapacitetet e nevojshme teknike dhe menaxheriale, mund të marrin menaxhimin e pallateve, sikurse ndodh në vendet e zhvilluara të BE-së që na rrethojnë. Mirëfunksionimi i shërbimeve, në këtë kontekst, mund të rriste disi koston për banorët, porse dukshëm kjo kosto do tejkalohej nga problemet që do zgjidheshin.

Me të drejtë, lind pyetja – pse nuk trajtohet ky problem, kur mund të zgjidhet shumë më thjesht dhe me më pak kosto në raport me çështje të tjera (si rrugët e dritat) për të cilat po flitet dhe po bëhet kaq shumë zhurmë sot?

Mbase, ngaqë drejtuesit dhe politikëbërësit tanë nuk i kanë këto probleme në kurriz – disa jetojnë në vila (luksoze), disa në komplekse moderne pallatesh që i kanë këto probleme me pak të shprehura. Ndërsa një fqinji im, konspiracionist në dukje, mendon se politikanët duan që njerëzit të kenë probleme mes tyre (për ashensorin, pastrimin, ujin e sa e sa të tjera) që të mos kenë mendjen te politika.

Cilado qoftë arsyeja, ajo që mund të thuhet, është se nuk ka asnjë justifikim të shëndoshë ekonomik dhe qeverisës, që kjo situatë të vazhdojë kështu dhe se ndryshimet janë të domosdoshme dhe urgjente.

Një qeverisje e mirë qendrore dhe lokale, duhet të mundësojë dhe një qeverisje (menaxhim) të mirë të aseteve komunitare.

Top Channel