Mashtruan të renë për ta trafikuar në Greqi, 4 në pranga

30/07/2015 00:00

Sektori Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “DIVA” ka bërë dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë të një grupi të strukturuar kriminal, me 4 të arrestuar dhe 2 të shpallur në kërkim për veprën penale të “trafikimit të qënieve njerëzore”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga kanë përfunduar shtetasit Anduel dhe Amaris Kodra, Rrahman Sufa dhe Endri Rustemi, të lindur në Korçë por banues në Tiranë, përkatësisht të moshave 22, 22, 20 dhe 45 vjeç. Ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit me inicialet E.F dhe B.D, 24 dhe 23 vjeç, i pari lindur dhe banues në Tiranë, ndërsa i dyti me origjinë nga Dibra.

“Nga hetimi i kësaj çështjeje është dokumentuar se më datë 23.05.2015, duke përfituar nga gjendja shoqërore e viktimës, shtetases A.F, shtetasi Rrahman Sufa në bashkëpunim me personat e sipërpërmendur e kanë trafikuar vajzën në Greqi, në ishullin Kos, ku është shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në klubet e natës, veprimtari të cilën e ka bërë kundrejt pagesës për gjatë disa muajve të vitit 2015”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 aparate celularë, një automjet tip “Mercedes Benz”, si dhe disa pasaporta dhe dokumente të cilat u gjetën në automjetin e shtetasit Endri Rustemi.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetime të mëtejshme, përfundon më tej njoftimi.

Top Channel