Ramos do të rinovojë me Realin. Pranon një pagë më të ulët se ajo që do të merrte në Mançester

30/07/2015 00:00

Sergio Ramos do të jetë lojtar i Realit të Madridit deri më 30 qershor të vitit 2020. Sipas gazetës ‘MARCA’, mes klubit më të titulluar në Spanjë dhe mbrojtësit 29-vjeçar tashmë është arritur marrëveshja, e cila pritet të zyrtarizohet para fillimit të kampionatit spanjoll.

Bien kështu të gjitha hipotezat për një largim të mundshëm të anadaluzianit nga kryeqyteti spanjoll, ku tensioni mes palëve në përfundim të sezonit të kaluar arriti kulmin.

Një takim kokë më kokë mes futbollistit dhe presidentit Perez sqaroi të gjitha keqkuptimet. Mësohet se futbollisti ka pranuar të përfitojë 8.5 milionë në sezon, plus 1.5 milionë bonuse nëse arrihen objektivat. Nëse do të pranonte ofertën e Manchester United, do të fitonte 10 milionë euro në sezon, plus bonuse.

Zgjatja e kontratës deri në vitin 2020 është një lloj garancie që Ramos ta përfundojë karrierën si futbollist me 10 herë kampionët e Europës, sikurse ishte edhe dëshira e tij. Për Realin e Madridit ishte shumë e rëndësishme që të sigurohej vazhdimësia e një prej pikave kyçe të skuadrës, njeriut që do të mbajë shiritin e kapitenit pas largimit të Iker Casillas.

Top Channel