“Kumanova”, avokati Raufi: Do t’i publikojmë emrat e politikanëve që bënë regjinë

30/07/2015 00:00

Të arrestuarit lidhur me rastin e Kumanovës janë viktima të politikës dhe shërbimeve sekrete. Kështu ka pohuar për mediat avokati mbrojtës i të akuzuarve për ngjarjet tragjike në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës.

“Ata janë mashtruar dhe nuk e kanë ditur se çfarë do të ndodhë, sepse janë keqpërdorur nga politikanët dhe nga shërbimet sekrete”, thekson Naser Raufi.
 
Avokati thotë për mediat se mbrojtja dhe të akuzuarit posedojnë dëshmi që politikanë dhe shërbime sekrete janë të përfshirë në “konfliktin e Kumanovës”.
 
Raufi pohon se tani për tani nuk mund t’i publikojë këto dëshmi, për shkak se prokuroria ende nuk ka dorëzuar provat që zotëron, siç e kërkon ligji. Por, Raufi premton se kur të vijë koha do të dalin në shesh edhe emrat e atyre që kanë bërë skenarin për këtë rast, duke përfshirë edhe politikanët.
 
“Të gjitha do të dalin në shesh kur të vijë koha. Unë jam i bindur se bëhet fjalë për skenar të shërbimeve sekrete. Sipas kontakteve që kam realizuar me të arrestuarit, ata kanë dëshmi shumë të forta që tregojnë lidhjet e politikës dhe shërbimeve sekrete me rastin e Kumanovës”, thekson Raufi.
 
Ndërkohë, mediat i paralajmërojnë rrëfimet tronditëse të të akuzuarve, duke veçuar atë të Sami Ukshinit apo Komandant Sokolit, si rrëfim që do të jetë vendimtar për zbardhjen e të gjitha sekreteve lidhur me këtë ngjarje.
 
Prania e Sami Ukshinit në luftimet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë ishte një befasi, pasi vetë ai, disa ditë para ngjarjeve, kishte deklaruar se nuk ishte përfshirë në sulmin e Gushincës edhe pse mediat serbe, duke iu referuar burimeve të shërbimeve sekrete, kishin përmendur edhe emrin e tij si pjesëmarrës në këto ngjarje.

Top Channel