Bushati: Fluksi i azilkërkuesve, shqetësimi parësor i qeverisë

30/07/2015 00:00

Ministri i Jashtëm shqiptar pohon se fluksi  i azilkërkuesve shqiptarë drejt Gjermanisë kryesisht, është shqetësim parësor i qeverisë shqiptare.

I pyetur nga Top Channel për fenomenin që nuk po merr fund, Ditmir Bushati nuk është dakort me mungesën e  masave të qeverisë shqiptare për të frenuar ikjen e shqiptarëve dhe ndan besimin se bashkëpunimi me vendet pritëse dhe rritja e kontrollit kufitar po shihen si plani ë zgjidhjes së kësaj problematike.

“Shqipëria ka një bashkëpunim shumë të mirë me partnerët, sidomos me vendet e prekura nga ky fenomen i azilkërkuesve. Është një shqetësim parësor për qeverinë shqiptare, për strukturat e shtetit shqiptar. Besoj se siç televizioni juaj ka transmetuar me skrupulozitet, kemi bashkëpunim me autoritetet gjermane, si në aspektin ligjzbatues, pra të strukturave policore, ashtu sikundër edhe të rrugëve për shkurajimin e fenomenit. Ka një bashkëpunim më të mirë për sa i përket patrullimit të kufijve. Plani i përket strukturave të shtetit shqiptar jo vetëm të ekzekutivit”, tha Bushati.

Qëndrimi i shefit të diplomacisë shqiptare për fenomenin që po shqetëson jo pak vendet e BE-së, u bë pas takimit me homologun e tij boshnjak që ka mbërritur për vizitë zyrtare në Tiranë. Dy Ministrat e Jashtëm mbajnë takimin në prag të konferencës së Vjenës, të cilën vendet e rajonit e shohin si mundësinë e artë të rritjes së investimeve infrastrukturore në Ballkan, me financime të BE.
 
Ministri i Jashtëm boshnjak, vendi i të cilit është i interesuar për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, dhe në Tiranë lajmin e vendosjes së Shqipërisë në vendin e parë si destinacion turistik nga agjencitë turistike në Bosnje Hercegovinë. Kjo ka shtyrë Sarajevën të firmosë në Tiranë marrëveshjen e lëvizjes mes dy vendeve me karta identiteti.

“Efekti i parë që ne presim nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është në turizëm  dhe ekonomitë tona. Unë jam besimplotë se shumë boshnjakë do të vijnë të pushojnë në brigjet shqiptare, sikundër shumë shqiptarë janë të mirëpritur të vijnë në malet tona të bukura për sezonin dimor të skive”, tha Igor Crnadak, ministri i Jashtëm i Bosnjes.

Ministri i Jashtëm i Bosnjes që konfirmoi edhe në Tiranë se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të vendit të tij për njohjen e Kosovës, pohoi se kjo nuk pengon rritjen e marrëdhënieve mes Sarajevës dhe Prishtinës. Ndërsa vizita e tij e parë në Tiranë, shihet si një përpjekje për rritjen e marrëdhënieve  mes Shqipërisë dhe Bosnjes jo aq të shpeshta, çka mesa duket bënë që mungesa e delegacionit tonë në përkujtimit të 20- vjetorit të masakrës së Srebrenicës të shihet e natyrshme nga Ministri ynë i Jashtëm, kur pohoi përfaqësimin tonë përmes ambasadorit tonë. Megjithatë kjo nuk e ka penguar ministrin e Jashtëm të Bosnjës të marrë me vete shijen e mirë të vizitës në Tiranë, të paktën në një aspekt:

“Është hera ime e parë në Tiranë, dhe jam i surpizuar për kafen e mirë që bëhet këtu, kjo ishte gati një suprizë e bukur për mua, falenderoj Ditmirin për pritjen e shkëlqyer këtu në Tiranë”, vijoi Crnadak.

Top Channel