Rama, bashkëbisedim me gazetarët: Ekonomia ka ndjekur trend pozitiv

30/07/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur paraditen e kësaj të enjteje një konferencë për shtyp, në prag të përfundimit të sezonit politik.

Në fokus të fjalimit të kryeministrit Rama ka qenë ekonomia, e cila sipas tij ka ndjekur trendin pozitiv, duke qëndruar në harmoni me parashikimet e programit të hartuar me FMN-në dhe Bankën Botërore.

“Ekonomia u mbyll me rritje 2.82% në fund të 2014-s. Ndërsa në fund të 2015 do të jemi pranë rritjes prej 3 për qind”, ka deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se, shlyerja e 641 milionë dollarë borxhe ndaj kontraktorëve ka pasur një impakt direkt në konsolidimin e trendit pozitiv.

“Ky qe një proces me ankesa për korrupsion zero, pasi metoda e përdorur, duke shlyer detyrimet në bazë të një radhe të papërcaktuar nga qeveria dhe dëshirat e Ministrisë së Financave, por e caktuar nga koha e krijimit borxheve ka garantuar që procesi të jetë i pakontestueshëm”, ka thënë Rama.

Për 6-mujorin e parë të këtij viti, ka shtuar Rama, kemi një ulje të borxhit nën 69 për qind, në 68.2 për qind.

“Duke marrë parasysh edhe shlyerjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve, niveli real i borxhit është 64 për qind”, ka thënë më tej Rama. 

Ai ka shtuar se, paketat fiskale kanë ardhur me masa lehtësuese, të cilat kanë dhënë një efekt prej 97 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit.

Një tjetër arritje sipas kryeministrit kanë qenë edhe rimbursimet automatike të TVSH-së, që kanë eleminuar sipas tij zvarritjet.

Top Channel