Urdhri i Ministrisë së Brendshme, radhë në kufirin me Malin e Zi

30/07/2015 00:00

Një urdhër i dhënë nga Ministria e Brendshme e Malit të Zi pas mesnate, për kalimin nga procedurë e përshpejtuar në të zakonshme të kontrollit të pasaportave, ka krijuar një radhë prej disa kilometrash në të dy anët në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit.

Me qindra makina kanë krijuar një radhë deri në 8 km dhe çdo një orë, radha sa vjen dhe shtohet. Qytetarët që presin për të kaluar kufirin janë kryesisht shtetas të Kosovës që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, por një pjesë e mirë e tyre janë edhe turistë nga vende të ndryshme.

Të revoltuar për këtë situatë, qytetarët kërkojnë zgjidhjen pasi, sipas tyre, është çnjerëzore të qëndrohet me orë të tëra në radhë në këto temperatura, me fëmijë të vegjël.

Duke qëndruar në rrugë për orë të tëra në mes të vapës, drejtuesit e automjeteve shpeshherë në shenjë pakënaqësie kanë mbajtur të shtypur për disa minuta boritë e makinave.

Nga ora në orë radha sa vjen dhe shtohet dhe në këtë mënyrë duket krejt normale të ketë një njoftim nga strukturat kompetente për lëvizjen e automjeteve drejt Muriqanit, duke koordinuar lëvizjet, në mënyrë që të shmanget fluksi, aq më tepër në fundjavë kur ka fluks të madh lëvizjeje.

Top Channel