Kosovë, serbi i akuzuar për terrorizëm del në gjykatë

30/07/2015 00:00

Shtetasi serb Sllobodan Gavriç, i dyshuar për terrorizëm nga Prokuroria kosovare, mohoi veprën penale, për të cilën akuzohet. Ai po mbrohet në seancën gjyqësore nga dy avokatë serbë të Kosovës.

Njëri prej tyre, Zhivojin Jokaniç tha se, klienti i tij do të merrte 5 mijë euro, nëse do të mund të realizonte tregtinë, për të cilën ishte nisur në Prishtinë. Madje, sipas avokatit, ai kishte hyrë tri herë në Kosovë me këtë qëllim, dhe vetëm herën e tretë është arrestuar nga policia.

Seanca fillestare e shqyrtimit kryesor për këtë çështje u mbajt të mërkurën në Prishtinë, nën drejtimin e gjyqtares Shadije Gërguri. Ndërsa vetë Gërguri komunikonte në shumicën e kohës në gjuhën serbe, me vendim të saj, kamerat televizive ishin të pranishme vetëm në pjesën ku duhej të filmohej i pandehuri dhe avokatët.

Nga ana e saj, prokurorja e çështjes Drita Hajdari, edhe këtë herë nuk zbuloi detaje të tjera, përveç se lexoi atë pjesë të aktakuzës të publikuar më herët nga Pprokuroria Speciale.

Ajo tha se, Sllobodan Gavriç ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit, me qëllim që të frikësojë seriozisht popullatën dhe të destabilizojë e të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës.

Avokati Zhivojin Jokaniç paralajmëroi se, do të kërkojë të hidhet poshtë aktakuza. Sipas tij, veprimi i klientit të tij ka elementë të veprës penale, por jo të natyres që ndërlidhen me terrorizmin.

Sllobodan Gavriç u arrestua nga Policia e Kosovës më 25 dhjetor të vitit të kaluar, në kryeqytetin kosovar, kur po transportonte me një makinë private një sasi të konsiderueshme eksplozivi.

Nëpërmjet aktakuzës, Prokuroria konfirmon se ai, gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, ishte furnizuar në Beograd me 25 pajisje eksplozive, që peshonin mbi 12 kilogramë. Kjo sasi eksplozivi ka qenë e kombinuar me sende metalike, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe për të shkaktuar një numër sa më të madh viktimash në njerëz, por edhe dëme materiale.

FOTO GALERI
1/3
Pamje nga seanca gjyqësore ndaj serbit Gavriç

Top Channel