Gjermania paralajmëron shtetasit e saj: Kujdes kur shkoni në Turqi!

30/07/2015 00:00

Ministria e Jashtme gjermane paralajmëroi ata që udhëtojnë drejt Turqisë të bëjnë kujdes, për shkak të gjendjes së tensionuar të sigurisë në këtë vend.

Apeli u referohet në mënyrë të veçantë personave që udhëtojnë në rrugë tokësore, ndërsa këshillat per vëmendje të shtuar u drejtohen dhe atyre që përdorin mjetet e transportit publik në Stamboll, pasi ka të dhëna për sulme të mundshme në stacionet e metrosë dhe të autobusëve.

Në krahinat e Hataj, Kilis, Gaziantep, Sanliurfa, Dijarbakir, Mardin, Sirnak, Hakkari e Van ekziston një rrezik në rritje për udhëtarët dhe turistët. Shkak i paralajmërimeve janë sulmet ajrore turke ndaj pozicioneve të PKK-së dhe të milicëve terroristë në Siri dhe Irak, edhe pse deri më tani, ato nuk kanë pasur ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në rajonet turistike.

Pavarësisht apeleve ndërkombëtare për qëndrim të moderuar, qeveria turke po përdor gjithë fuqinë e saj ndaj kundërshtarëve politikë. Sipas njoftimeve zyrtare, brenda pak ditëve janë arrestuar më shumë se 1300 të dyshuar dhe burime kurde te informacionit tregojnë se të ndaluarit janë kryesisht anëtarë të grupeve kurde dhe atyre të majta.

Ushtria turke ka mësyrë gjithashtu pozicionet e kurdëve në malet Kandil në Irakun verior dhe në juglindje të vendit. Bagdadi zyrtar reagoi duke i kritikuar ashpër sulmet ajrore, që i konsideroi “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe shkelje të sovranitetit të tij”. Qeveria amerikane, nga ana tjetër, i ka dalë në krah Ankarasë me deklaratat se bombardimet ndaj rebelëve të PKK-së i konsideron si akt vetëmbrojtjeje të Turqisë.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, një grupim i ndaluar, ka ndërmarrë sulme të armatosura ndaj policisë turke dhe është mjaft agresive, u shprehën zyrtarë të lartë në Uashington. “Nëse PKK-ja nuk do të kishte nisur sulme në Turqi, as turqit nuk do t’i godisnin pozicionet e saj në Irak”, ka deklarua PPK.

Top Channel