Reforma në drejtësi, PD braktis komisionin: Mazhoranca prishi marrëveshjen dypalëshe

30/07/2015 00:00

Kush ka besuar se marrëveshja me ndërmjetësimin amerikan për rikthimin e opozitës në Komisionin parlamentar të Drejtësisë do të funksiononte, do të duhet ta ketë ndierë veten naiv.

Partia Demokratike nuk e çoi deri në fund mbledhjen e parë të saj në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Madje, kjo mund të jetë mbledhja e fundit për të, nëse në komision – siç thotë opozita, – nuk rikthehen kushtet e prishura të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët për gjithëpërfshirje dhe transparencë.

“Deshët ekspertët ndërkombëtarë? Dëshët Euralius-in dhe Opdat-in, këtu i keni. Doni Venecian? Do ta merrni edhe atë, çfarë doni më shumë?”, pyeti kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafa.

Rendi i ditës, për të cilin nuk ranë dakord, ishte miratimi i “Strategjisë për reformën”, njëri nga 3 dokumentet e prodhuar gjatë 8 muajve punë, kur opozita mungoi.

Demokratët kërkuan që strategjia të mos miratohej në këtë mbledhje, derisa gjatë gushtit, pa cënuar planin e veprimit, opozita, sipas standardit të gjithëpërfshirjes, të sillte disa propozime dhe më pas strategjia të konsultohej publikisht, sepse për draftin përfundimtar ky standard transparence nuk kishte ndodhur.

Por në 4 orë debat, palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Ajo që nga mazhoranca trajtohej si detaj teknik, nga opozita trajtohej si thelbësor për besueshmërinë e procesit.

“Ne do ta votojmë sot në parim, për ta lënë të hapur që edhe opozita, apo kushdo dëshiron, të shprehin komentet, sugjerimet rreth këtyre dokumenteve, të mund ta bëjnë”, vijoi më tej socialisti Xhafa.

“Vendosja e një standardi të tillë që, ne e vëmë opozitën përpara faktit të kryer, se ne e miratojmë dhe ju po deshët ejani e bëni komente, është standardi më i keq. Ky standard është vrastar, në mënyrë të padiskutueshme, për konsensusin politik”, deklaroi përfaqësuesi i opozitës në komision, Eduard Halimi.

Strategjia e reformës në drejtësi
Shefi i EURALIUS: Po e bëjmë sipas modelit shqiptar

Palët nuk i pajtuan as ndërhyrja e ekspertëve ndërkombëtarë, europianit të EURALIUS-it dhe amerikanit të OPDAT-it, kur atyre iu kërkua opinion nga opozita, sesi duhej të procedonte komisioni në lidhje me strategjinë.

Megjithatë, në vendimin e demokratëve për t’u larguar nga komisioni u duk qartë se, nuk ndikoi vetëm forma, por edhe përmbajtja e strategjisë për reformën në drejtësi. Drafti voluminoz, që prek disa nga pjesët më të rëndësishme të Kushtetutës, sipas opozitës, ka dështuar të japë një vizion të qartë për reformën.

“Unë e kam të pamjaftueshme për ta miratuar. E kam të pamundur të jap votën për të miratuar një akt të tillë, sepse nëse do ta bëja, duke miratuar një strategji që nuk ka impakte të drejtpërdrejta dhe zgjidhje konkrete, por ka zgjidhje dyfishe e shumëfishe, do të ishte e pamundur”, u shpreh më tej Eduard Halimi.

“Ky është një tren dhe një lokomotivë që është nisur për të shkuar në destinacion dhe është mirë që të mos ketë pengesa, apo të ketë sa më pak pengesa. Nuk e ka filluar sot rrugëtimin e tij, por ka 8 muaj që rrugëton dhe askush nuk mund të pretendojnë dhe nuk duhet ta mendojë, që ai të kthehet mbrapsht”, u kundërpërgjigj Fatmir Xhafa.

Të përfshihet në proces thonë se, duan të zbatojnë standardet më të mira ndërkombëtare për reformën në sistemin e drejtësisë, i etiketuar si më i korruptuari në vend. Por, pas pyetjes së fundit të opozitës, se në cilin model perëndimor ishin bazuar, për shembull, për reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, qeverisë së gjyqësorit, përgjigjja e përfaqësuesit europian ishte mbresëlënëse.

“Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Ne kemi modelin shqiptar dhe ky model është i bazuar në përvojat e mëparshme të Shqipërisë dhe në gjetjet e Komisionit të Venecias”, tha zyrtari ndërkombëtar i EURALIUS.

Sesa mund të harmonizohen standardet demokratike me një model shqiptar, kjo ende nuk është e qartë. E qartë është se, për reformën në drejtësi mirëbesimi mes palëve nuk ekziston.

Top Channel