Rama: Dekriminalizimi, në shtator ligji. Do të ndjekim modelin italian

30/07/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën për shtyp të mbajtur në mesditë se, në shtator do të hartohet ligji për dekriminalizimin, i cili do të synojë kalimin në një skaner të imtësishem të politikanëve dhe nëpunësve të administratës.

“Çështjen e rekordeve kriminale në politikë dhe administratë ne do ta trajtojmë ligjërisht. Kemi pununar për atë që jemi zotuar dhe me sesionin e ri diskutimi është, a do të jetë dekriminalizimi pjesë e reformës integrale në drejtësi apo ligj më vete. Por kjo është një çështje teknike”, deklaroi Rama.

Ai sqaroi se qeveria do të kalojë një projektligj për të gjithë ata që kanë pasur rekorde kriminale të gjykuara e jo të supozuara, sipas periudhave dhe llojit të krimeve.

“Nuk jemi aspak të gatshëm për gjueti shtrigash, atë e bën klubi i gjuetarëve të mbetur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe të ricikluar në PD”, vijoi Rama.

Ai shtoi se qeveria nuk ka ndërmend as të shpikë projektligje. “Ne kemi marrë modelin e Italisë, që ka shumë pika të arsyeshme për të vepruar dhe mbi të do të veprojmë”, deklaroi Rama.

Më tej kryeministri hodhi poshtë zërat e qarkulluar së fundmi për ndryshime në kabinetin qeveritar.

“Rifreskimin qeveria do ta bëjë gjatë pushimeve të gushtit, kur secili nga ministrat do të shkojë për t’u rifreskuar me pushime, pastaj do të kthehet në punë dhe do vijojë punën kështu siç është. Nuk kemi në plan ndryshime qeverie, sepse nuk shohim arsye për t’i bërë”, tha Rama.

Marrëdhëniet me Greqinë ishin një çështje tjetër e prekur prej tij. Shefi i qeverisë tha se, e ka ftuar kryeministrin e Greqisë për vizitë në Tiranë dhe u shpreh i gatshëm ta mirëpresë atë në çdo moment. Por nga ana tjetër ai theksoi se, nuk ka në plan të vizitojë Greqinë këtë vit.

Sa i takon zonës së kontestuar detare të pasur me naftë, Rama u shpreh se është një humbje që në të nuk mund të bëhen kërkime, por theksoi se jo për hir të kërkimeve ajo pjesë e territorit duhet dorëzuar.

“Ai territor i përket Shqipërisë dhe kemi rënë dakort me palën greke që nëse nuk e gjejmë gjuhën e përbashkët në negociata, atëherë këtë do ta vendosë një palë e tretë”, shtoi Rama. 

Top Channel