Profesorët e Harvardit, në Tiranë për “Modelin e ri ekonomik”: Shqipëria të orientohet drejt eksportit

30/07/2015 00:00

Ricardo Hausmann, një nga ekonomistët më të njohur në rang botëror, thotë se profili i ri ekonomik i Shqipërisë duhet të ketë në qendër eksportet.

“Ishte e qartë se ky vend kishte nevojë për një model të ri rritjeje, bazuar në aftësinë për t’i bërë gjërat këtu dhe për t’i eksportuar në pjesën tjetër të botës. A do të jetë kjo në bujqësi, në industri, në miniera, energji apo turizëm? Kjo është ajo ku ne kemi punuar fort, në fushat që janë çelësi për të integruar kapacitetet e Shqipërisë për të punuar me mundësitë që ofron tregu global”, u shpreh Ricardo Hausmann, drejtor i Qendrës për Zhvillimet Ndërkombëtare në “Harvard Kennedy School”.

Kryeministri tha se, një nga fushat me potencialin më të madh për të eksportuar dhe për të siguruar të ardhura është bujqësia, për të cilën njoftoi një paketë të gjerë financimi.

“Kreditimi i bujqësisë me 300 milionë euro për tre vitet e ardhshme, me një mesatare 100 milionë në vit të aksesueshme dhe të garantuara shteti”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërkohë që, veç bujqësisë, paralelisht Qeveria synon të fuqizojë edhe manifakturën, përmes zonave të lira.

“Përgatitja e tenderit ndërkombëtar për zonat ekonomike ka shkuar drejt fundit. Besoj se brenda 15-20 ditëve do të jemi në gjendje të hapim tenderin ndërkombëtar për një nga projektet më shpresëdhënës të kthimit të Shqipërisë në qendër të manifakturës në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Në dy dekadat e para të tranzicionit, rritja ekonomike e Shqipërisë u mbështet fort në sektorin e ndërtimit, por edhe konsumin, që është financuar kryesisht përmes dërgesave të emigrantëve apo borxhit nga jashtë.

Me shpërthimin e krizës në vitin 2008, të dy këta komponentë u goditën fortë, duke çuar në një ngadalësim dramatik të rritjes ekonomike dhe në nevojë për burime të reja zhvillimi.

Top Channel