Kosovë, diskutime për themelimin e një kompanie fluturimi shtetërore

30/07/2015 00:00

Problemet e mëdha dhe mashtrimet, që u bëhen bashkatdhetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë nga kompanitë e udhëtimeve ajrore, të cilat i mashtrojnë dhe u shesin bileta shumë të shtrenjta për pushime në vendlindje, kanë ngjallur debat në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë të themelojnë një kompani shtetërore, e cila sipas saj do të rregullonte tregun dhe do t’u mundësonte udhëtim korrekt bashkatdhetarëve.

Por kryeministri kosovar, Isa Mustafa tha se, qeveria nuk e ka në axhendë themelimin e një kompanie fluturimi publike, edhe pse – sipas tij, – janë në dijeni për mashtrimet që u bëhen bashkatdhetarëve nga kompanitë private.

“Qeveria nuk e ka në axhendë këtë, sepse ne jemi në procesin e rregullimit ekonomik, që nënkupton se gjithçka ka qenë në pronësi shtetërore t’i takojë sektorit privat. Jemi të vetëdijshëm për problemet, me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë dhe deputetja ka plotësisht të drejtë të shtrojë këtë çështje për shkak të papërgjegjësisë së kompanive private, qoftë edhe të regjistruara në Kosovë. Por, kjo nuk mund të rregullohet duke krijuar një kompani fluturimi publike, sepse ne nuk e kemi rregulluar me ligj nocionin e pronës shtetërore, por kemi nocionet e pronës private, pronës publike dhe të pronës shoqërore, që kemi në AKP”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Një tjetër çështje, që u diskutua në seancën e Kuvendit, ishte edhe mënyra e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

“Në praktikën ndërkombëtare, aplikimet e shtetit në organizata ndërkombëtare e bën Presidenti i shtetit. Ka pasur shumë raporte në media të ndryshme mbi këtë çështje. Unë do ta filloj me pyetjen më të thjeshtë: Kush e ka nënshkruar aplikimin e Kosovës në UNESCO?”, tha Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes.

“Është përkushtimi dhe zotimi ynë, që të anëtarësohemi në UNESCO, një organizatë që do të hapë perspektivën e anëtarësimit në shumë organizata të tjera të OKB-së. Prandaj, mendoj që është një situatë e përshtatshme dhe rrethanë e përshtatshme për Kosovën, që të aplikojë dhe të anëtarësohet”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

“A ka të bëjë konflikti juaj me Presidenten, për shkak të aplikimit nëpërmjet UNMIK-ut në UNESCO? Dhe, na e shpjegoni pak. Sa është në përputhje, aplikimi juaj nëpërmjet UNMIK-ut, në relacion me deklaratat tuaja disavjeçare në OKB, se UNMIK-u është mision i tejkaluar dhe se nuk ka më vend në Kosovë?”, vijoi më tej replikën deputeti Ilir Deda.

“Së pari zotëri, duhet të dini se edhe në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kur e kemi shpallur si shtet të pavarur, kemi ‘Rezolutën 1244’ dhe dokumentin e Ahtisarit. Prandaj, edhe kërkesa për aplikim në UNESCO është bërë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe në përputhshmëri me prezencën e mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë. Unë do të të kisha ftuar, që të përqendrohesh më shumë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës, sesa të humbësh kohë me çështje proceduriale”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Pas këtij debati, Kuvendi ka vazhduar punimet e seancës, ku ka zgjedhur anëtarët shqiptarë të Bordit të Radiotelevizonit Publik, ndërsa për anëtarët serbë të këtij bordit, konkursi duhet të përsëritet, pasi kandidatët në garë nuk kishin votat e mjaftueshme të deputetëve.

Top Channel