Hashashi, misioni më i fundit i ushtrisë italiane

30/07/2015 00:00

Misioni më i fundit i ushtrisë italiane nuk ka të bëjë me ruajtjen e paqes në ndonjë vend të caktuar, as me strategji luftarake për t’u përballur me armikun.

Në një laborator të vendosur nën masa të rrepta sigurie në afërsi të qytetit të Firences dhe nën komandën e gjeneralit Giocondo Santoni, qindra anëtarë të ushtrisë italiane janë duke punuar me rritjen e hashashit.

Në laborator janë mbjellë qindra bimë cannabis sattiva të llojeve të ndryshme dhe objektivi është prodhimi i 100 kilogramëve.

“Shpresojmë ta kemi gati prodhimin në fund të vitit, të kemi gati 100 kilogramë, që është dyfishi i asaj që importojmë aktualisht nga Holanda”, thotë gjenerali Santoni.

Hashashi do të përdoret i gjithi për qëllime mjekësore. Në vitin 2007 Italia legalizoi përdorimin e kësaj bime për t’u lehtësuar dhimbjet pacientëve me kancer, sklerozë dhe sëmundje të tjera kronike.

Por megjithëse është e lejuar, konsumi nuk është rritur.

“Vitin e fundit kërkesa ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë duke krijuar dy probleme; e para, nuk kemi sasinë e nevojshme të hashashit dhe e dyta, pjesa më e madhe e mjekëve nuk e dinë ose nuk e kanë kuptuar që është legalizuar dhe është e ligjshme dhënia e tij me recetë për pacientët”, thotë Marco Ternelli, një farmacist italian që shet marijuanë holandeze që prej vitit 2013.

Top Channel