Talebanët afganë zgjedhin pasuesin e Omar: zëvendësin Mullah Mansour

30/07/2015 00:00

Talebanët nuk kanë humbur kohë dhe kanë zgjedhur zëvendësin e udhëheqësit suprem Mullah Omar, për ta pasuar atë në këtë post, vetëm një ditë pas verifikimit të raporteve nëpër media mbi vdekjen e tij, që në fakt besohet të ketë ndodhur rreth 2 vite më parë.

Lajmi konfirmohet nga dy komandantë militantë të lëvizjes afgane gjatë kësaj të enjteje, teksa Pakistani ka bërë të ditur se bisedimet e programuara të paqes mes kryengritësve dhe qeverisë afgane mund të shtyhen.

Pakistani citoi një deklaratë të publikuar në Kabul gjatë së mërkurës mbi vdekjen e Omar, si shkak i shtyrjes së negociatave, për shkak të frikës se kjo mund të shkaktojë një betejë hakmarrjeje të përgjakshme.

Mullah Akhtar Mohammad Mansour është emëruar kreu i ri i talebanëve gjatë një takimi të përfaqësuesve më të lartë të tyre, shumica e të cilëve strehohen në qytetin pakistanez të Quettas, sipas burimeve që kanë qenë të pranishme në mbledhjen e quajtur “shura”.

“Shura e mbajtur jashtë qytetit Quetta ka zgjedhur unanimisht Mullah Mansour si emirin e ri të talebanëve”, tha një komandant gjatë takimit të mesnatës së të mërkurës. “Së shprejti do të publikohet edhe një deklaratë nga kjo mbledhje”.

Siraj Haqqani, udhëheqës i fraksionit të fuqishëm Haqqani të militantëve, do të jetë zëvendës i Mansourit, deklaruan më tej komandantët. Mansour do të jetë kreu i dytë që kanë pasur talebanët përfshi Omarin, një figurë e pakapshme dhe rrallëherë të parë në publik, që themeloi lëvizjen islamike ultrakonservatore në vitet ’90.

Talebanët pushtuan thuajse të gjithë Afganistanin në atë kohë, duke vendosur sundimin e ligjit islamik, përpara se të rrëzoheshin nga pushteti në vitin 2001 nga një ndërhyrje ushtarake e udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e Afganistanit bëri të ditur të mërkurën se Omar kishte vdekur rreth dy vite më parë në qytetin pakistanez të Karachit. “Jemi në dijeni të raporteve dhe po përpiqemi të sigurojmë detaje”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme pakistaneze, Qazi Khalilullah.

Top Channel