MH17, vendet e përfshira kërkojnë ngritjen e një gjykate pas vetos së Rusisë

30/07/2015 00:00

Shtetet që kanë marrë nën hetim rrëzimin e avionit malajzian mbi Ukrainë, mbi një vit më parë, tashmë po marrin në konsideratë krijimin e një tribunali të pavarur ndërkombëtar, pasi Rusia vendosi veton ndaj përpjekjeve për të krijuar një gjykatë të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të hetuar dyshimet.

Rusia vendosi veton, një atribut që e zotërojnë vetëm vendet anëtare të përhershme, në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara gjatë së hënës, duke bllokuar përpjekjet për të ngritur një gjykatë ndërkombëtare.

Avioni i fluturimit MH17 të “Malaysia Airlines” u rrëzua në korrik të vitit 2014 me 298 pasagjerë në bord, 2/3-tat e të cilëve ishin holandezë. Ai u përplas në territorin ukrainas të kontrolluar prej separatistëve të mbështetur nga Rusia. Ukraina dhe vendet e Perëndimit besojnë se ai u rrëzua nga separatistët prorusë të mbështetur nga Moska, të cilët e kishin ngatërruar atë me një avion luftarak. Asnjë i dyshuar nuk është bërë i ditur deri më tani.

Malajzia, Holanda, Australia, Belgjika dhe Ukraina tashmë po shqyrtojnë mundësitë alternative, përfshi edhe gjykimet në gjykata ndërkombëtare dhe ato kombëtare.

“Një mundësi është që të kemi një tribunal ndërkombëtar të mbështetur nga të pestë vendet”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme holandeze. “Mundësia tjetër që po diskutohet është të krijojmë një gjykatë të ngritur prej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

Ndërkohë, mundësia e tretë në diskutime përfshin një proces gjyqësor në gjykatat kombëtare të një prej 5 shteteve, të cilat, që të gjitha humbën shtetas të konsiderueshëm në atë incident ajror. Diskutimet po zhvillohen si në kryeqytetet e këtyre vendeve, por edhe në Kombet e Bashkuara, tha zëdhënësi.

Një gjykate të mbështetur nga OKB-ja do t’i jepej fuqia për të lëshuar mandatarreste të vlefshme në të gjitha vendet, gjë që nënkupton se nëse një vend refuzon të dorëzojë një të dyshuar në këtë ngjarje do të paditet për shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Ndërsa një gjykatë e mbështetur nga një grup i kufizuar shtetesh vështirë se mund të ketë të njëjtën fuqi.

Kryeministri holandez tha se ishte i zhgënjyer nga vendimi i Rusisë, i vetmi vend në Këshillin e Sigurisë prej 15-anëtarësh, që votoi kundër propozimit. Tri vende të tjera abstenuan.

Top Channel