Itali, kaos në Fiumicino. Ndërprerja e energjisë paralizon aeroportin

30/07/2015 00:00

Aeroporti Fiumicino në Romë është përfshirë këtë të enjte nga kaosi, duke u kthyer në një “depozitë” pasagjerësh.

Pas një zjarri të verifikuar të mërkurën, mëngjesin e ditës së sotme aeroporti kryesor i kryeqytetit italian ka pësuar një seri ndërprerjesh elektrike, njëra prej të cilave ka zgjatur 20 minuta dhe ka shkaktuar probleme të shumta në të gjithë sektorët dhe shërbimet aeroportuale.

Sipas raportimeve të “Corriere della Sera”, shkak për ndërprerjen e energjisë duket se është bërë një qark i shkurtër që ka shkaktuar dëme të mëdha, që po pengojnë kthimin e situatës në normalitet. Për pasojë ka pasur vonesa të nisjeve të fluturimeve me disa orë.

Rreth orës 15:00, në terminalin numër 3 ka shpërthyer një protestë agresive e pasagjerëve, që janë qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së karabinierëve.

Në terminalin numër 1 më herët gjatë ditës mbeti i fikur aparati i ajrit të kondicionuar, duke irrituar udhëtarët. Ndërsa dy persona mbetën të bllokuar në një ashensor dhe u nxorrën vetëm pas ndërhyrjes së zjarrfikësve.

Gjithashtu, ekipet e ndihmës së shpejtë u erdhën në ndihmë dy djemve, njëri i prekur nga një krizë epileptike dhe tjetri nga të fikëtit.

Top Channel