Basha: Rama mburret, shqiptarët marrin arratinë

30/07/2015 00:00

Në një dalje për mediat, kreu i opozitës, Lulzim Basha, e ka quajtur farsë të gjithë fjalimin e Ramës, i cili bëri edhe bilancin e vitit të dytë të qeverisjes, duke renditur dhe faktet zyrtare, të cilat sipas tij, janë kundër deklarimeve të kryeministrit.

“Në kohën që Rama krihej para kamerave, mijëra familje shqiptare gjenden në krizë të thellë ekonomike dhe dhjetra e qindra mijëra mallkojnë realitetin që ka krijuar kjo qeveri dhe bëhen gati për kurbet. Foli për rritje ekonomike prej 2.12 përqind për vitin 2014, ndërkohë që INSTAT-i i kontrolluar prej tij, zyrtarisht ka publikuar një rritje prej 1.89 përqind. Premtoi se rritja ekonomike do të jetë 3 përqind, por ministri i tij i Financave, bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar deklaruan pak javë më parë se rritja prej 3 përqind nuk mund të realizohet. Shpalli 104 mijë persona të punësuar më tepër, por INSTAT-i thotë se papunësia është në nivele rekord prej afro 18 përqind”, tha Basha.

Duke u ndalur tek procesi i dekriminalizimit, Basha u shpreh se Rama ka gënjyer aleatët ndërkombëtarë, por pavarësisht kësaj ai u shpreh se opozita do ta kryejë këtë proces jetik për vendin.

“Pse nuk pranoi Edi Rama të japin shenjat e gishtërinjve?! Sepse Rama gënjen! Ai e di fare mirë kë ka ulur në sofrën e pushtetit, ndaj ka penguar dhe pengon çdo ditë dekriminalizimin, këtë nevojë jetike për vendin. Prandaj ka sfiduar dhe gënjyer aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, ka rrezikuar dhe po rrezikon çdo ditë marrëdhëniet strategjike. Por dekriminalizimi do të bëhet. Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund kundër vullnetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës, por me vullnetin e qytetarëve shqiptarë, me mbështetjen e SHBA dhe partnerëve europianë”, u shpreh kreu i opozitës.

E në fund, Lulzim Basha sugjeroi se për çfare duhet të fliste Edi Rama në këtë dalje publike.

“Do të kishte e udhës që Edi Rama të dilte të fliste për ndryshim kursi, për ulje taksash, për uljen e çmimit të energjisë, për uljen e taksave që po e çojnë naftën në 2 mijë lekë litri, por siç e patë dhe dëgjuat, asnjë fjalë për këto, asnjë fjalë për hallet e vërteta të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Basha.

Top Channel