Britani, kreu i euroskeptikëve të UKIP: Duhet bërë më shumë fushatë për lënien e BE-së

30/07/2015 00:00

Euroskeptikët, të cilët kërkojnë që Britania të dalë nga Bashkimi Europian, po lejojnë aktivistët e fushatës pro BE-së të marrin kryesimin në mobilizimin e popullit, përpara një referendumi për qëndrimin ose daljen nga BE, që pritet të mbahet brenda një viti. Ky është pohimi i figurës më të shquar mes euroskeptikëve të Britanisë, Nigel Farage, gjatë kësaj të enjteje.

Kryeministri David Cameron, i nxitur edhe nga zgjedhjet e përgjithshme të fituara në mënyrë decizive gjatë majit, ka nisur gjithashtu përpjekjet për të rinegociuar marrëdhëniet e Britanisë me BE-në, duke thënë se do të bëjë fushatë në favor të alternativës “Po” për të vazhduar anëtarësimin, nëse bisedimet do të rezultojnë të suksesshme.

Nigel Farage, kreu i UKIP, një parti antieuropiane, tha se ndërhyrjet e profileve të larta si ato të Presidentit amerikan, Barack Obama, që ka thënë se dëshiron që Britania të qëndrojë në BE, si dhe nisma e grupeve të fushatës pro-BE, si Universitetet për Europën, e kanë lënë alternativën “Jo” disi në hije.

E ndërsa ka raporte se aktivistët e “Jo”-së po planifikojnë  pikërisht nismat që do të ndërmarrin, ndërkohë që disa prej deputetëve konservatorë të Cameron kanë formuar një grup që do të nxisin të votohet alternativa për largim nga BE-ja nëse kryeministri nuk siguron ndryshime të qenësishme të funksionimit të BE-së, deri më tani ka pasur shumë pak aktivitete publike në favor të “Jo”-së, madje ende nuk ka dalë ndonjë figurë që ta udhëheqë këtë rrymë.

“Nuk ka aspak dyshim se tani për tani alternativa ‘Po’ po mbizotëron dhe është në kryesim”, tha Farage. “Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë Cameronin të futet në këto negociata i pasfiduar. Nuk mund ta lejojmë alternativën ‘Po’ të ketë këtë kryesim masiv kundrejt alternativës ‘Jo’ në këtë nisje fushate”.

Cameron ka premtuar mbajtjen e një referendumi jo më vonë sesa viti 2017, ndërsa javën e kaluar “the Independent on Sunday” bëri të ditur se ai kishte përcaktuar një datë gjatë qershorit të vitit të ardhshëm.

Në një sondazh prej 5 mijë personazh të kryer nga “Survation” dhe të publikuar këtë të enjte, 45% e të anketuarve thonë se do të votojnë për të qëndruar në bllokun europian, 37% shprehen për largimin nga BE-ja, ndërsa 18% e të pyeturve janë ende të pavendosur.

Top Channel