Rama bën bilancin e 300 ditëve të dyta; ekonomia, dekriminalizimi, qeveria…

30/07/2015 00:00

Përballë 18 gazetarëve të medias së shkruar dhe elektronike, për plot 120 minuta kryeministri Edi Rama dha një konferencë shtypi, ku  fillimisht i bëri një panoramë zhvillimeve ekonomike të 300-ditëshit të dytë qeverisës.

“Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12 përqind, ndërkohë që është inkurajuese që edhe 3 mujori i parë i vitit 2015 shënon një vazhdimësi të rritjes, 2.82 përqind, kundrejt tremujorit të parë të 2014-ës. Është një shifër mjaft domethënëse dhe ne besojmë që deri në fund të vitit do të jemi brenda objektivit të përcaktuar në program dhe do të jemi fare pranë ose plotësisht tek rritja 3 përqind”, deklaroi Rama.

“Dekriminalizimi kalon në shtator”

Rama iu përgjigj edhe pyetje të aktualitetit politik duke nisur me dekriminalizimin.

“Do të kalojmë ligjin për të penguar të gjithë ata që kanë pasur rekorde kriminale, të gjykuara, jo të presupozuara, të kenë aktivitet politik apo të përfshihen në administratën publike. Kemi marrë si pikë referimi modelin e Italisë. Është një model që ka shumë pika për të vepruar dhe mbi atë model ne do të veprojmë”, u shpreh Rama.

Ngulmimit të gazetarëve, duke iu referuar raportit të DASH për deputetë të inkriminuar në Parlamentin shqiptar, Rama dha këtë përgjigje:

“Në kushtet e sotme ligjore dhe kushtetuese nuk ka në Parlamentin e Shqipërisë njerëz që kanë probleme me ligjin. Nuk ka asnjë person që të ketë pasur një dëshmi penale të papastër. Gjykime të ndodhur shumë larg në të shkuarën, apo edhe afër, por përtej kufirit të dëshmisë penale, nuk adresohen me gjueti shtrigash, por me ligj dhe ne do t’i adresojmë me ligj. Sikur Partia Demokratike të kishte pasur vizion, ata nuk kanë ku ta gjejnë se vizioni nuk është sëmundje ngjitëse, dhe vullnet ne do ta kishim bërë me kohë ligjin. Na erdhën ca paçavure ku thuhej se kush donte të kandidonte duhet të shkonte dhe të linte gishtat tek Lefteria dhe KQZ do bënte kontroll kishte sikur të ishte ndonjë agjenci. Ne nuk mund të shkonim dot drejt këtyre paçavureve dhe tani do ta çojmë ne draftin dhe do ta miratojmë ne, me ose pa ata”, tha Rama.

“Nuk ka ndryshime në qeveri”

Top Channel e pyeti kryeministrin nëse në 300-ditëshin e tretë qeverisës do të këtë një rifreskim të kabinetit me ndryshime ministrash.

“Rifreskimin qeveria do e bëjë gjatë pushimeve të gushtit. Çdonjëri prej anëtarëve të qeverisë do të shkojë me pushime gjatë gushtit dhe do rikthehet në punë e do vazhdojë kështu siç është. Nuk kemi në plan që të bëjmë ndryshime qeverie, sepse nuk shohim arsye për t’i bërë”, u përgjigj kreu i qeverisë.

“Deti, edhe në arbitrazh”

Kryeministri u pyet edhe nëse ai ka plan të vizitojë Athinën dhe si do të zgjidhet çështja e kufirit detar.

“E kam ftuar kryeministrin e Greqisë dhe do ta presim në çdo moment kur ai ta shohë të përshtatshëm. Nuk kam në plan të vizitoj Greqinë këtë vit. Ne kemi rënë dakort me palën greke që nëse nuk e gjejmë gjuhën e përbashkët me bisedime, këtë do ta vendos një palë e tretë. Në arbitrazh apo një palë e tretë për të cilën do të biem dakort”, u përgjigj Rama.

Top Channel