Champions, pas Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, biletë udhëtimi edhe për Skënderbeun në Beograd?

30/07/2015 00:00

Skënderbeu do të zhvillojë ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” kundër skuadrës moldave të Milsami Orheit me një avantazh tepër të rëndësishëm të siguruar nga takimi i parë në Moldavi, ku korçarët kampionë të Shqipërisë triumfuan 2-0 falë dy golave të shënuar nga Hamdi Salihi, njëri prej të cilëve me 11-metërsh.

Dhe, pavarësisht se kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u zhvilluar gjatë javës së ardhshme, falë rezultatit të takimit të parë shumëkush mund të marrë guximin të diskutojë mbi kundërshtarin e ardhshëm të mundshëm të Skënderbeut, edhe pse futbolli është një sport i tillë që duhet pritur deri në vërshëllimën e fundit për ta konsideruar zyrtare një kualifikim apo kalim turi.

Kampionët e Shqipërisë e nisën këtë edicion nga turi i dytë kualifikues, duke anashkaluar të parin për shkak të koefiçentëve të renditjes së klubeve. Në këtë tur, Skënderbeu u përball me Crusaders nga Irlanda e Veriut, ekip të cilin e mposhtën në Korçë me rezultatin 4-1 dhe në Irlandë ishin në kryesim 1-2 deri në minutat shtesë, kur irlandezo-veriorët përmbysën rezultatin në 3-2. E megjithatë, “ujqërit e dëborës” u kualifikuan për më tej, ku në raundin e tretë kualifikues shorti i vuri përballë moldavëve të Milsami Orheit, një ekip i krijuar vetëm pak vite më parë, por që u shpall gjithashtu kampion i Moldavisë sezonin e fundit, ndërkohë që Skënderbeu fitonte titullin e pestë radhazi kampion të Shqipërisë.

Por turi i ardhshëm, gjithnjë në rast kualifikimi dhe gjasat janë për diçka të tillë, pritet të ofrojë rivalë jo më kaq lehtësisht të kalueshëm sa Crusaders apo Milsami. Pavarësisht se shmangen emra të mëdhenj; si Manchester United, Valencia, Leverkusen, Sportingu i Lisbones dhe Lazio, ekipe këto që do të futen në short pikërisht nga turi i ardhshëm i konsideruar “play-off”, apo edhe të tjerë ekipe të famshme, që aktualisht janë në të njëjtën fazë kualifikuese me Skënderbeun, si Shakhtar, Ajax, CSKA e Moskës, Club Brugge, Monaco, Young Boys, Sparta Praga, Fenerbahçe, Panathinaikos dhe Rapidi i Vjenës; korçarëve sërish do t’iu duhet të përballen me një skuadër të fortë në letër.

Ndër rivalët e mundshëm, më i vështiri konsiderohet Bazeli i Zvicrës, ku luajnë dy shqiptarë të kombëtares, si Gashi dhe Xhaka. Por jo më pak e vështirë do të jetë edhe një sfidë e mundshme me Salzburgun e Austrisë, apo me Plzenin e Çekisë, rivalë që ndoshta të frikësojnë me emrat e tyre dhe ecurinë që kanë pasur në vitet e kaluara. E vështirë, por jo e pamundur do të jetë një sfidë e mundshme me Celtic Glasgoë, APOEL-in e Nikosisë apo BATE Borisovin e Bjellorusisë. Por, le të vijmë në Ballkan, e të përqëndrohemi te disa rivalë të mundshëm:

Steaua e Bukureshtit do të duhet të zhvillojë edhe 90 minuta ndaj Partizanit të Beogradit, në Serbi, pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë të luajtur në Rumani. Rumunët konsiderohen një kundërshtar më i vështirë sesa serbët, por me këta të fundit fati mund të na përballë sërish, në të njëjtin stadium ku edhe u ngrit “drone” me flamurin e Shqipërisë Etnike dhe me ikonat e historisë së shtetit shqiptar, Ismail Qemali e Isa Boletini. A mund t’i rezervohet një vend edhe “Skënderbeut” në Beograd? Për këtë duhen pritur jo vetëm 90 minutat e “Elbasan Arena”-s, por edhe 90 minutat e ndeshjes së kthimit në Beogradit mes Partizanit dhe Steauas. Një tjetër rival i fortë ballkanas është edhe Dinamo e Zagrebit, por këta të fundit fillimisht duhet të mposhtin norvegjezët e Moldes në transfertë, pas barazimit 1-1 në Kroaci.

Top Channel