Greqi, Tsipras sfidon hapur rebelët e Syrizas: Mbështesni masat, ose zgjedhje të parakohshme

30/07/2015 00:00

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, sfidoi rebelët ekstremistë të së majtës në partinë e tij “Syriza” gjatë së enjtes, duke u thënë se nëse kundërshtojnë negociatat e reja të ndihmës së shpëtimit do të thërrasë zgjedhje të parakohshme në vend. Synimi i tij është sigurisht të mbrojë kontrollin ndaj rebelëve të partisë në pushtet.

Gjatë një takimi të komitetit qendror 200-anëtarësh të Syrizas, të mbajtur në sallën e kinemasë së vjetër me një sfond gjigant të kuq, Tsipras doli në mbrojtje të vendimit të tij për të pranuar kushtet e ashpra të ndihmës, si marrëveshja më e mirë e mundshme që ndonjëri mund të siguronte për Greqinë.

Greqia rrezikoi falimentin dhe daljen nga Eurozona pak ditë më parë, kur arriti pas më shumë se 11 orësh diskutime një marrëveshje me huadhënësit gjatë këtij muaji, por që i kushtoi Tsiprasit mbështetjen në radhët e deputetëve të dalë nga partia e tij, të cilët e akuzojnë se tradhëtoi rrënjët e partisë së tij, apo ato kundër masave shtrënguese, premtim me të cilin edhe erdhën në pushtet në janar të këtij viti.

Në një fjalim sfidues, kryeministri tha se preferonte që Syriza të mbante një Kongres të jashtëzakonshëm në shtator, për të diskutuar mbi strategjinë e partisë. Nëse anëtarët e saj do të duan të sfidojnë kursin e ndjekur prej Tsiprasit, atëherë komiteti qendror do të duhet të mbajë zgjedhjet partiake brenda 3 ditësh.

“Po u themi popullit grek, me zë të lartë dhe shumë qartë, pa asnjë keqardhje, se kjo është marrëveshja që ne mundëm t’u ofronim. Dhe, nëse del dikush që mendon se mund të arrihej ndonjë marrëveshje edhe më e mirë, atëherë le të dalë e ta thotë hapur këtë”, tha ai në një seancë, ku morën pjesë edhe disidentë si kreu i Parlamentit, Zoe Konstantopoulou.

Kriza përçarëse brenda Syrizas është sfida më serioze politike ndaj kryeministrit Tsipras, i cili ndryshe gëzon dominim të pakrahasueshëm të politikës greke dhe vijon të mbetet tepër popullor, pavarësisht kthesës së tij të prapritur duke pranuar kushtet e shpëtimit nga huadhënësit.

Top Channel