MH370, mbetja e gjetur në Oqeanin Indian do të dërgohet në Francë

31/07/2015 00:00

Ekspertët francezë do të jenë ata që do të vendosin nëse mbetja e gjetur një ditë më parë në një ishull në Oqeanin Indian i përket apo jo avionit të “Malaysia Airlines” të zhdukur vitin e kaluar.

Mbetja, e cila dyshohet të jetë një krah avioni, do të transportohet në Francë për një hetim më të hollësishëm, ka bërë të ditur kryeministri i Malajzisë, Najib Razak. 

Ai tha se me shumë gjasa objekti i gjatë rreth 2 metra i përket MH370 të zhdukur më 8 mars 2014, por nevojiten hetime të mëtejshme për t’u shprehur me siguri se më në fund është gjetur një pjesë e Boeing 777.

David Griffin, nga Agjencia Kombëtare e Shkencave në Australi tha për BBC-në se vendndodhja e pjesës së gjetur është në përputhje të plotë me zonën në të cilën ekspertët mendonin se mund të kishin përfunduar mbetjet e avionit të zhdukur, në bordin e të cilit gjendeshin 239 persona.

Ekspertët shprehen të sigurt që ajo është një pjesë e një avioni Boeing 777 dhe me shumë mundësi i përket atij të kompanisë “Malaysia Airlines”.

Që prej vitit 1994, kur Boeing 777 u prezantua, ka pasur 5 aksidente, përfshirë edhe MH370, i cili është i vetmi avion që është zhdukur mbi det. Kjo është një ndër arsye që i ka bërë hetuesit të besojnë se më në fund kanë gjetur diçka që i përket avionit, për të cilin janë ngritur hipoteza të shumta. Megjithatë, për ta konfirmuar këtë hetuesve i duhet t’i shqyrtojnë nga afër mbetjet e gjetura.

Top Channel