PD, komision organizativ për 25-vjetorin e themelimit

31/07/2015 00:00

Drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike dhe ata të grupimit “Dhjetor 90”, vendosën këtë të premte ngritjen e një komisioni organizativ për përkujtimin e 25-vjetorit të krijimit të kësaj partie.

Sipas një njoftimi për shtyp nga selia blu, nisma synon të risjellë në kujtesën e shoqërisë shqiptare momentet dhe mesazhet kryesore të ndryshimit historik të Shqipërisë, konkretisht rënien e komunizmit.

“25 vjetori i Lëvizjes Studentore, që u finalizua me legalizimin e pluralizmit politik dhe me lindjen e Partisë Demokratike, do të jetë  një moment i bashkimit të të gjithë protagonistëve të atyre ditëve historike, ku çdo qytetar protagonist qendror dhe periferik do ta ndjejë veten pjesë të atij ndryshimi të madh që ndau Shqipërinë nga diktatura më e egër e lindjes komuniste dhe e orientoi vendin drejt vlerave të  lirisë, drejt Europës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në të saktësohet se pjesë e këtij komisioni organizativ do të jenë drejtues të Lëvizjes Studentore, ish-studentë, pedagogë, intelektualë, etj.

Komisioni do të përgatisë kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen më 8 dhe 11 dhjetorin e ardhshëm, data këto që përkojnë me Ditën Kombëtare të Rinisë dhe atë të themelimit të PD.

Top Channel