Burg për prerjen e pyjeve, në shtator ndryshon Kodi Penal

31/07/2015 00:00

Nga shtatori, çdokush që pret  pyje apo transporton lëndë drusore në mënyrë të paligjshme do të dënohet me burg. Ministri i  Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se do të kërkohet amendimi i Kodit Penal për të shmangur këtë katastrofë natyrore që vijon prej dekadash.

“Nga shtatori e tutje ne do të ndryshojmë, amendojmë Kodin Penal, të ashpërsojmë dënimet për ata që presin në mënyrë të paligjshme pyjet. Nuk do të ketë më gjobë për atë që kapet duke prerë në mënyrë të paligjshme pyjet apo duke transportuar pemë të prera në mënyrë të paligjshme. Ka vetëm burg. Ky është qëllimi i amendimit të Kodit Penal për ta bërë prerjen e paligjshme të pyjeve, ashtu siç i takon, një vepër penale shumë të rëndë”, deklaroi ministri Tahiri.

Shqipëria ka 120 mijë hektarë pyje më pak në krahasim me 18 vite më parë dhe dëmet kryesore janë shkaktuar nga prerjet e paligjshme apo nga dhënia e lejeve për ndërtime minierash e HEC-esh.

“Dëmet kanë qenë në çdo vit të përllogaritura përreth 3 milionë euro në vit. Pra sado një qeveri, një shtet, një vend i pasur nuk mundet dot ta ndjekë këtë paralelizëm dëmi me investime. Ka qenë përreth 4 milionë dollarë të investuara vitin e shkuar në pyje, ku mundëm të mbjellim rreth 2.5 milionë fidanë dhe sfida jonë është që të mbjellim 10 milionë fidanë në këtë 4-vjeçar. Është një punë shumë e mirë, por do të jetë e pavlefshme nëse do të lejojmë të dëmtohen pyjet siç kemi lejuar deri më tani. Amendimet e Kodit Penal janë një domosdoshmëri”, tha ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Mbi 780 kundravajtje, të cilat kanë shkaktuar një dëm prej 362 milionë lekësh, janë proceduar nga Inspektoriati i Mjedisit. Por dëmet në mjedis vijojnë të mbeten të mëdha, ndaj Inspektoriati i Mjedisit,  në bashkëpunim me ministrin e Mjedisit dhe atë të brendshme kanë kërkuar forcimin e masave ligjore për të ndalur këtë katastrofë mjedisore.

Top Channel