Ligji për arsimin e lartë, Nishani pret Nikollën. Ministrja: Bisedë pozitive

31/07/2015 00:00

Takimi i Presidentit, Bujar Nishani me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla ka zgjatur përtej takimeve standarde të kreut të shtetit, duke tejkaluar dy orë.

Mesa duket, as vetë Presidenti nuk e kishte parashikuar duke lënë në pritje Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla për më shumë se 30 minuta, nga koha kur kamerat fiksuan hyrjen e tij në presidencë.

Presidenti nuk është kufizuar në kohë për t’i kushtuar ministres së Arsimit minutat e përafërta me akademikët që kundërshtojnë ligjin e arsimit të lartë, takim me të cilët një javë më parë u komentua si paralajmerim i qëndrimit të Presidentit për të mos e dekretuar atë.

Numri një i arsimit në vend, që ka vlerësuar me tone pozitive takimin me kreun e shtetit, ka shprehur besimin tek Presidenti, ndërsa ka nënkuptuar mungesën e arsyeve ligjore për ta rikthyer atë në Kuvend.

Lindita Nikolla tha pas takimit se ligji i ri i arsimit të lartë nuk cënon garancinë kushtetuese për t’i ofruar çdo të riu të drejtën e barabartë për studime.

“Falenderoj Presidentin që iu përgjigj kërkesës sonë për të qenë pjesë e këtij komunikimi. Sqaruam të gjitha momentet e këtij ligji transformues për studentët dhe pedagogët, që sjell cilësi në institucionet tona të arsimit të lartë, momentet e garantimit kushtetues që ligji bën për çdo të ri që dëshiron të ndjekë studimet në institucionet e arsimit të lartë sipas meritës, e po ashtu të gjitha risitë e tjera që sjell ligji në një debat tejet të qetë, konstruktiv dhe shumë të shëndetshëm”, deklaroi Nikolla.

Ministrja e Arsimit u shpreh besimplotë se Presidenti Nishani do ta dekretojë ligjin.

Presidenti ka zhvilluar më pas konsultime me rektorë të universiteteve private.

Top Channel