Specialja, Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë plenare të hënën

31/07/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që, të hënën në orën 10 të mbahet një seancë plenare me vetëm një pikë në rendin e ditës; atë për votimin e amendamentit kushtetues për formimin e Gjykatës Speciale.

Mënyra e riprocedimit për herë të dytë të një çështjeje, që nuk i ka marrë votat e nevojshme herën e parë, ka ngjallur debat të ashpër në Kryesi.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se, Gjykata Speciale po vjen nga spekulimet e ndryshme, ndërsa përfaqësuesit e opozitës thanë se, me votimin e dytë do të marrë fund demokracia.

“Turp është për këtë Parlament, që pas 15 viteve detyrohet të flasë për lojëra politike të bilancit të një gjykate speciale, e cila po na vjen si fatkeqësi dhe pa burrninë tonë. Le të shkojnë te Gjykata Speciale, të flasë kush ka për të folur; le të dëshmojë dhe t’i lëmë këtij vendi hapësirë, sepse mjaft është bërë si laborator i matufëve e i kodoshëve, të cilët nuk lanë të zezë pa thënë për vendin e vet. Kanë për të marrë ndonjë, ndoshta do t’i marrin njerëzit me të mirë, me paçavuret siç janë mësuar t’i marrin, por ky është një detyrim që duhet ta kryejmë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Kjo çshtë rikthyer si çështje, pa asnjë ndryshim, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ndërsa ju, si kryetar i Kuvendit, keni pranuar një letër nga Qeveria, që kjo çështje të riprocedohet në Kuvend dhe që Gjykata Speciale të votohet edhe njëherë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mund të them se kjo është e paprecedentë në botë. Mirëpo nëse kjo ndodh, mendoj se do të legjitimojmë anarkinë në Kosovë”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

“Nëse provohet të riprocedohet, ose ne rreth kësaj tryeze pajtohemi për ta riproceduar, kjo do të jetë një vdekje për demokracinë e vendit tonë dhe një vdekje e këtij Kuvendi”, tha më tej Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan në mbledhjen e Kryesisë, që në seancën e së hënës – më 3 gusht – të futet si pikë e parë e rendit të ditës miratimi i projektrezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999.

Por, ky propozim i ardhur në Kryesi në një mbledhje, që ishte ftuar enkas për Gjykatën Speciale, u vlerësua nga përfaqësuesit e shumicës si tendencë, për të krijuar përçarje te deputetët e koalicionit qeveritar nga komunitetet pakicë dhe, si rrjedhojë, për shkaqe proceduriale përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nuk e miratuan. Mosmbështetja e propozimit të opozitës, bëri që ata të largohen nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Top Channel