SHBA zgjerojnë sanksionet, Rusia: Përgjigje asimetrike

31/07/2015 00:00

Pas njoftimit të një dite më parë të administratës amerikane për sanksione të reja ndaj Rusisë, Kremlini ka reaguar këtë të premte duke deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e një përgjigjeje asimetrike.

Qëndrimi zyrtar i Moskës është shprehur nga zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitri Peskov.

“Në përgjithësi, opsioni i reciprocitetit përbën parimin bazë në raste të tilla, por në të njëjtën kohë nuk përjashtohet edhe ndonjë veprim asimetrik”, ka deklaruar Peskov.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi dje zgjerimin e sanksioneve ndaj kompanive të shumta ruse dhe personave VIP nga ky vend, në lidhje me ngjarjet në Ukrainë.

Konkretisht janë goditur 11 persona fizikë dhe 15 kompani, mes të cilave “Izhmazh” dhe e mirënjohura “Kalashnikov”.

Gjithashtu, nën sanksione ka përfunduar një grup organizatash dhe kompanish të lidhura me gjigandët “Rosneft” dhe “Vnesheconombank”, këto të fundit të sanksionuara më parë.

Ndërsa mes personave spikat biznesmeni Roman Rotenberg, djali i ish-presidentit ukrainas Alexandr Yanukovich, menaxherët kryesorë të “Kalashnikov” dhe përfaqësues të subjekteve të sipërpërmendura.

Top Channel